Vetëm 4 nxënës në Vergo të Delvinës, banorët e fundit të fshatit sfidojnë moshën dhe kushtet për mbijetesë

Vetëm katër nxënës kanë mbetur në shkollën e fshatit Vergo në Delvinë, si dëshmi e fenomenit të largimit masiv të njerëzve. Banorët e fundit sfidojnë moshën dhe kushtet për mbijetesë.

Në Vergo të Delvinës, shumica e shtëpive janë të kycura.

Në 30 vitet e fundit, përllogaritet se 2/3 e banorëve janë larguar nga fshati për jete më të mirë.

Disa në qytete të tjera e më shumë kanë ikur në emigracion.

Ata që kanë mbetur atje janë kryesisht të moshuar.

“Fshati dikur këtu pa u prishur sistemi socialist ka qenë rreth 813 banor, tani janë 84 banor.”

“Këtu nuk ka më, pleq jemi të gjithë.”

Jashar Xhelili, që  prej 7 vitesh, është infermier i fshatit dëshmon se gjithnjë e më pak po sheh fëmijë në dyert e ambulancës.

“Kur kam vazhduar për herë të parë kam arritur dhe 10, 12 pacient  duke kaluar vitet 7. Ka raste që mudn të mos vijë as edhe një.”

Kjo është godina e shkollës së Vergoit.

Dikur këtu kishte rreth 700 nxënës nga disa fshatra, ndërsa sot numërohen me gishtat e njërës dorë.

“Ajo shkollë që ka qenë atje rreth 700 nxënës me 84 arsimtar sot janë 4 nxënës.”

Banorët e fundit të fshatit sfidojnë moshën dhe kushtet për të siguruar jetesën minimale.

Ullinjtë dhe vaji që nxjerrin është burimi kryesor i të ardhurave për shumicën prej tyre.

Edhe pse është njësi administrative , banorët e Vergoit tregojnë se zona nuk ka përfituar asnjë investim nga bashkia e Delvinës.

Uji i pijshëm dhe infrastruktura janë shqetësimet kryesore.

“Rruga e fshatit është si mos më keq.”

“Gjatë këtyre viteve nuk ka pasur qoftë as edhe një investim.”

Dështimi I bashkive në ofrimin e shërbimeve jetike, është një prej faktorëve kryesore që po çon në braktisjen masive të fshatrave nga jugu në veri.