Vlorë/ Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale. Sekuestrohen 500 gr eksploziv, pranga 23 vjeçarit

Policia ka parandaluar një ngjarje kriminale në Vlorë duke sekuestruar 500 gramë eksploziv që ishte montuar në një pajisje me telekomandë për t’u shpërthyer në distancë. Gjithashtu ka sekuestruar 2 armë zjarri, 1 armë gjahu, municion luftarak, lëndë narkotike, veshje policore dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Në pranga ka rënë 23 vjeçarin Damiano Sejko që i mbante të fshehura në banesën e tij. 23-vjeçari dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal që po përgatitej për një krim të rëndë. Ndërkohë vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë që do të bashkëpunonin me të riun Damiano Sejko.

Njoftimi i policisë

Sekuestrohen 500 gramë eksploziv i montuar në një pajisje me telekomandë, për t’u shpërthyer në distancë.

Gjithashtu, sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 armë gjahu, municion luftarak, lëndë narkotike, veshje si të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Arrestohet në flagrancë 23-vjeçari që i mbante të fshehura në banesën e tij.

23-vjeçari dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal që po përgatitej për një krim të rëndë.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim dhe me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative se një 23-vjeçar, i cili dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal, në qytetin e Vlorës, mbante të fshehura në banesë, armë zjarri të llojeve të ndryshme, me të cilat dyshohet se do të kryhej një krim i rëndë, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Strike”, duke angazhuar shërbime të shumta policie.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– D. S., 23 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në lagjen “Bashkimi”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 500 gramë eksploziv i montuar në një pajisje me telekomandë, për t’u shpërthyer në distancë, 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë me silenciator, 1 armë gjahu, 38 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 2 uniforma policie, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, 2 aparate celulare dhe 1 automjet tip “Volksëagen”.

Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar. Vijon puna hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin e shtetasve të tjerë që do të bashkëpunonin me shtetasin D. S. dhe për dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.