Rama: Avancojnë punimet në tunelin e Llogorasë
Punimet në kantierin e tunelit të Llogorasë në Vlorë po ecin me ritme të shpejta.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga ky kantier punimesh, ku në total janë hapur edhe 9 tunele lidhëse.
“Në Tunelin e Llogorasë, ku pas hapjes 100% të tubit të parë në tunelin me gjatësi prej 6 km vazhdojnë punimet për hapjen e tubit të dytë i cili deri tani ka arritur në 4.670 metra, dhe ku në total janë hapur 9 tunele lidhëse nga 11 gjithsej”, u shpreh Rama.
Tuneli i Llogorasë konsiderohet një vepër strategjike për turizmin në rivierën e Jonit.
Tuneli i Llogorasë parashikohet të ketë një gjatësi prej 5.9 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit, deri në urën e Palasës.
Me një shpejtësi 50-80 km/orë, rruga do të përshkohet për 7-10 minuta.
Tuneli hap një portë të re në jug të vendit, që synon ta kthejë jugun e Shqipërinë në një atraksion turistik jo vetëm për vendin, por për të gjithë rajonin dhe pse jo edhe më gjerë.