“Kirurgu” i orëve të Sarandës

Nga Thoma Nika

Areteo Gjikulit mos i fol me gojë, në se është në minutin kur, nën kasketën e tij dhe përtej syzeve, me monoklin në njerin sy, po “ekzaminon” në ingranazhet e orës, që ai e trajton si kirurgu pacientin. Ndodh tamam ajo që aftësia e tij zhbiruese, e bashkuar me mjetin zmadhues, bën të kuptojë dhe ndjejë çdo problem, kur asaj që i thonë “qimja e orës”, para syve dhe aftësive të tij, bëhet tra…

Pas këtij momenti, ai kapërcen përqendrimin dhe bëhet njeriu babaxhan, që pret t’i thuash për çfarë ke nevojë dhe si mund të të shërbejë.

– Ora ime shkon mirë- i them. Pa bateri dhe pa zemerek, më mat edhe kohën që ikën, më parashikon edhe kohën që vjen, me këtë trurin elektronik e automatik. Dhe i tregoj iphonin që mbaj në dorë.

– Dakort, dakort, nuk jam kundra- thotë ai. -Por kush nuk e kupton, që është tjetër gjë ta kesh në dorë e tjetër gjë ta mbash në dorë dhe t’i ndjesh pulsin ose t’i japësh puls.

Kështu nis biseda me orëndreqësin mbase më të kërkuar në qytetin e Sarandës. Tek ai nuk më çoi ndonjë ankesë për matjen e kohës, por dëshira për të depërtuar në sekretet e profesionit të tij, siç ai depërton tek orët. Dhe nis e më tregon për fillimet. Saranda ka patur një “magjistar” të orëve, Filip Gravanin.

E Areteo kujton se i vajti atij me një orë të prishur “Ruhla” gjermane, kur ishte vetëm 13 vjeç. Ngrihej në majë të gishtave, që të mund të përfshinte sa më shumë hapësirë, nga tavolina prej xhami e punës së mjeshtrit. Nuk lëvizi nga banaku, deri sa ai ia dha në dorë orën, që e risolli në jetë.

Areteo kishte vëzhguar çdo lëvizje të duarve, të syve, të pincetave e kaçavidave të imta. Dhe u largua andej gjithë gëzim. Arësyeja ishte se po bindte veten që, bashkë me orën e rregulluar, kishte “vjedhur” edhe alfabetin e rregullimit. Kjo i erdhi si shkëndija e parë, që i vetëtiu brenda tij, për t’u bërë një orëndreqës. Jeta nuk ia dha të paketuar si dhuratë këtë ëndërr. Ai do të punonte në fabrikën e letrës në Shkodër e në kombinatin tekstil në Berat. Por shpirti I rregullimit të pajisjeve, nuk fjeti ndonjë herë. Tregon se si ishte ai që i bënte fije-fije radiot “Soneberg”, “Iliria” etj., dhe i risillte në jetë. Tregon se si brenda radiove të vogla sajonte dhe shtonte stacionet, duke përdorur gur-galene, ku stacionet I ndërronte me një majë gjilpëre me kokë. Iu desh të improvizonte me sukses antena kundër rrufeve. Derisa ra në kontak me Tufinët e famshëm të gjeneratave të orëve. Ata ia konfimuan intuitën dhe pasionin e orëndreqësit dhe e nxitën të ecë në rrugën dhe në traditën e tyre.

Kështu ndodhi, që projekti i ndreqësit të orëve, një ditë doli nga sirtaret e shpirtit e shpërtheu. Areteo do të njihej e konfirmohej si I tillë, kur do të çelte “kioskën” e orëndreqësit në Beratin e 30 viteve më parë. Tani ai është fat i Sarandës. Areteo Gjikuli nuk mund t’i qëndronte larg këtij qyteti e njerëzve të tij, edhe se origjina e tij është këtu pranë, nga Shënvasili.
Pata menduar se arësyeja pse njësia e tij, që ofron këtë lloj shërbimi të specializuar, rrallë mbetet pa klientë që presin, ngaqë gjendet në afërsinë me stacionin e taksive dhe autobusëve në Sarandë. Edhe kjo është një zgjedhje e zgjuar. Ashtu siç është gjetje-smart edhe reklama “Clock Man” (Njeriu-orë), ku syri shkon edhe pa dashje, në hyrje të njësisë.

Por mjeshtëria e tij në perfeksion dhe mënyra e pritjes dhe përcjelljes së klientit, është arësyeja e plotë, pse “Clock Mani” i Areteo Gjikulit, pranë agjencisë së autobusëve e taksive në Sarandë, përbën një nga stacionet, ku mbajnë këmbët ata që kanë probleme me ngecjen e orës, ndërkohë që koha ecën pa u matur. Klientëve të tij, zakonisht u duhet të mbajnë radhë, për të marrë shërbimin që u duhet. E prapë ata qëndrojnë. Nuk mërziten, nuk largohen pa mbaruar punë. Të shumtët, gjatë kohës së pritjes para banakut, kuptojnë se Areteo nuk është thjesht një “dyqanxhi”, por se është një zanatçi që, me cilësi gati prej magjistari, hyn në çdo mekanizëm, ekzaminon dhe shëron.

Nganjëherë bëjmë mirë që mendojmë se kohët moderne dhe teknologjia jep mundësi të reja për matjen e kohës. E prapë, jemi po ne, që shohim dhe pranojmë pa mëdyshje, se ora vazhdon të mbetet matësi kryesor dhe aksesori, që nuk del ndonjëherë nga moda.

Kur orët “lodhen”, Areteo Gjikuli, u gjendet mbajtësve të tyre duke i ribërë ato të punojnë si të ishin të reja.
Ai është për Sarandën, ndër ushtruesit e zejes më të hershme të njerëzimit në kohët moderne. Me të paktën 50 vjet në këtë zanat, të cilin askush nuk ia ka falur, por e ka “vjedhur”. Për Areteon, të jesh ndreqës orësh, nuk bëhesh dot milioner. Por, në konceptin e tij, milionat venë e vijnë, mundësia dhe kënaqësia nuk kanë të çmuar.

Me sa duket, kështu si Areteo, mendon edhe Panua, djali i tij. Për moshën fare të re dhe për zanatin, që ca e ka të falur nga i ati e ca me “të rëmbyer”, sepse e do atë, mund ta linte edhe Sarandën edhe Shqipërinë. Por jo, ata i janë vënë punës së tyre me shpirt e dashuri këtu. Dhe thonë se po ia marrin shpërblimin, kënaqësinë dhe gëzimin.