Atentati i dështuar që çoi në vrasjen e 40- vjeçarit nga Delvina në Athinë, donin ti vrisnin vëllain?

Prokuroria greke ka firmosur 8 urdhër arreste për vrasjen e 40-vjeçarit Pellumb Islami nga Delvina. Policia greke ka zbardhur edhe motivet e ngjarjes, ku ka ndryshuar tërësisht gjithë dinamika e ngjarjes.

Pas analizës së fakteve, është zbuluar se autori i vrasjes së Pëllumb Islamit është Elis Salaj, 34 vjeç nga Fieri, bashkëpronar i një klubi të njohur nate në rrugën “Liosion” në Athinë.

Në dhjetor 2022 ky shtetas është tentuar të vritet me armë zjarri automatike jashtë biznesit te tij. Autorit të ngjarjes i është bllokuar arma dhe është detyruar të largohet.

Elis Salaj, kreu i një grupi kriminal në Athinë, ka dyshuar se autor i atentatit të dështuar ndaj tij është vëllai i shtetasit Pellumb Islami. Dy të fundit ndodheshin mbrëmjen e 21 shkurtit në lokalin në “Nea Ionia”.

Vëllai i viktimës ka debatuar me grupin rival dhe të gjitha palët kanë dalë jashtë ku ka pasur shkëmbim zjarri. Nga të shtënat me armë ka mbetur i vrarë 40-vjeçari Islami nga Rusani i Delvinës dhe hetimi ka zbuluar se personi që ka goditur me armë është Elis Salaj.