Përmirësimi i integruar urban i Ksamilit, Orikumit dhe Borshit: Interes nga pesë kompani

Në fund të vitit të shkuar Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi kompani të interesuara që të shprehnin interesin e tyre lidhur me një projekt specifik që lidhet drejtpërdrejt me zona turistike në vend dhe mbështetet nga një hua e Bankës Botërore.

Bëhet fjalë për procedurën “Projektime të detajuara dhe mbikëqyrje ndërtimi për përmirësimin e integruar urban të zonave turistike të Ksamilit, Orikumit dhe Borshit dhe zonave ngjitur”.

Së fundmi FSHZH njoftoi se të paktën pesë bashkime operatorësh vendas dhe të huaj kanë shfaqur interes për të qenë konsulentë të projektit.

Referuar listës së publikuar nga Fondi bëhet fjalë për: JV iRI & Systematica & Xaveer Geyter Architects, JV AKA Studio Associato Caçavale, Casadei, Pineschi Architetti & Seed Consulting, JV F&M & MAU + IRD Engineering s.r.l, JV “SRP Schneider& Partner Ingenieur-Consult” GmbH & “CITYFORSTER Architecture+Urbanism” & “SRP Albanian Engineering” Ltd”, ARS Progetti.

Kompanive tashmë u është kërkuar që të paraqesin propozimet e tyre lidhur me procedurën e përmirësimit të integruar urban për tre nga pikat më të rëndësishme turistike në Jug të vendit.

Por çfarë parashikohet në fakt sipas kërkesës së publikuar më herët për shërbimet e konsulencës? Kompania fituese do të ketë së pari fazën e dizejnimit dhe më pas të mbikëqyrjes.

Në fazën e parë janë gjashtë detyra:

Detyra 1: Raporti fillestar dhe plani i punës

Detyra 2: Vlerësimi i raportit të përgatitur për situatën ekzistuese – Rishikim dhe rivlerësim dhe përditësim aty ku është e nevojshme

Detyra 3: Vlerësimi i Vizionit të përgatitur zhvillimor për Ksamilin, Orikumin dhe Borshin

Detyra 4: Vlerësimi i Programit të Investimeve të identifikuara dhe propozuara për zonën e Studimit

Detyra 5: Projektimi paraprak i konceptit, udhëzimet dhe vlerësimet paraprake për projekte të përzgjedhura investimi në Ksamil, Orikum dhe Bosh

Detyra 6: Hartime të detajuara, (përfshirë BoQ-të, specifikimet teknike, raportet teknike, vlerësimet e ndikimeve në mjedis.

Konsulenti do të administrojë kontratën dhe do të mbikëqyrë punimet e ndërtimit, d.m.th të kryejë detyrat e Mbikëqyrësit në përputhje me Kushtet e Veçanta dhe të Përgjithshme për Kontratën e Punëve të projekteve të financuara nga BB.

Projekti për Integrimin Urban dhe Zhvillimin e Turizmit nisi në vitin 2017 pas një kredie të dhënë nga Banka Botërore ndërkohë që u rishikua dhe iu shtua një financim i ri në korrik të këtij viti. Ky projekt parashikohet të mbyllet në 31 korrik 2025. Projekti në fjalë ka një total prej 105 milionë dollarësh si financim të ndarë në disa komponentë.