Rriten infektimet në Gjirokastër/ Vështirësohet gjurmimi, shkak ngadalësimi përgjigjeve të testimeve

Në të gjithë qarkun e Gjirokastrës kemi një shtim të numrit të rasteve përgjatë javës së fundit.

Gati 250 raste aktive janë vetëm brenda qytetit të Gjirokastrës. Vatrat gjenden kudo sipas epidemiologëve, në të gjitha institucionet publike, në polici, në shkolla që fatmirësisht janë të mbyllura, në ujësjellës, në OSHE por edhe në institucionet shëndetësore.

Epidemiologët ngrenë një tjetër shqetësim atë të mos kthimit në kohë të përgjigjeve për testet PCR të cilat drejtohen për në Tiranë. Shërbimi merr çdo ditë gati 70-80 teste por përgjigjet po vonojnë deri në një javë. Këtë mëngjes gati 15 pacientë janë ankuar për mosmarrjen e përgjigjes gati një javë pas testimit.

Kjo po vështirëson hetimin epidemiologjik dhe ndjekjen e zinxhirit të infeksioneve si dhe fillimin e mjekimit për pacientët.

“Kemi një vonesë të përgjigjeve ditët e fundit. Shpresojmë që kjo gjendje të stabilizohet sepse mund të na pengojë në hetimin e rasteve dhe identifikimin e personave të kontaktit.”

Shërbimi epidemiologjik vlerëson se gati 40% e popullsisë në qarkun e Gjirokastrës është infektuar tashmë me Covid 19. Kjo rrit disi imunitetin e popullsisë dhe pritet që të ndikojë në ritmin më të ulët të infeksioneve përgjatë muajit shkurt.