DETAJET: Mbërriti i plagosur në spitalin e Sarandës, 59-vjeçari tentoi t’i japë fund jetës pas debatit me familjarët

Një 59-vjeçar është vetëplagosur në Delvinë me armë gjahu pranë banesës së tij. Mësohet se Musa Haxhi, ka qëlluar veten me pushkë gjahu në gjoks për t’i dhënë fund jetës pas një debati në familje.

Ai u dërgua në spitalin e Sarandës dhe më pas është transportuar për tek Trauma në Tiranë me helikopter për shkak të gjendjes shëndetësore.

Saçmat mësohet se i kanë dëmtuar mushkërinë. Shkak për ngjarjen është bërë një debat që kanë pasur në familje. 59-vjeçari mësohet se ishte i divorcuar nga gruaja, me të cilën kishte dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Para se të qëllonte veten i ishte drejtuar familjarëve: “S’dua asnjë nga ju, vetëm djalin.”

Njoftim i policisë

Delvinë/Informacion paraprak

Sot, rreth orës 12:30, është paraqitur në Spitalin e Sarandës, për ndihmë mjekësore shtetasi M. H., 59 vjeç, i cili dyshohet se është vetëplagosur me armë gjahu në banesën e tij, në fshatin Bamatat, Delvinë.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.