Vrasja e biznesmenit në Tiranë, kjo është makina luksoze “G Class” e Edmond Papas
Ky është mjeti luksoz, i tipit “Mercedes-Benz G-Class” në pronësi të 49-vjeçarit Edmond Papa, i cili mbeti i vrarë ditën e djeshme në atentatin në Tiranë.
Makina luksoze shihet e parkuar në anë të lokalit në zonën e selitës ku u ekzekutua 49-vjeçari. Papa u qëllua me 9 plumba në rrugën “Fadil Bodinaku”, në momentin kur po futej në lokalin në pronësi të personit me inicialet V. Sh.
Autori, ende i paidentifikuar kishte vënë një kapuç për të mos u parë nga personat që ishin në lokal. Në momentin që Papa hyri në lokal dhe porositi kafenë, autori u fut brenda dhe e qëlloi me 9 plumba. Pa thënë asnjë fjalë, ai ka shkuar tek tavolina e 49-vjeçarit dhe ka nxjerrë pistoletën tip Glock dhe e ka qëlluar.
Biznesmeni e goditi me një tavëll duhani që kishte në dorë, por kjo nuk i pengoi plumbat. Trupi i 49-vjeçarit ra në tokë dhe banorët e zonës e dërguan në spitalin e Traumës, por ai nuk arriti të mbijtonte. Policia tashmë ka kryer sekuestrimin e kamerave të sigurisë për të kryer zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Edmond Papa ka disa prona në zonën e Ksamilit në Sarandë, mes tyre dhe një hoteli të njohur “Blue Sky” në qytetin bregdetar. Policia po heton nëse ka pasur konflikte së fundmi. Një tjetër pistë është dhe ajo e prishjes së pazareve të drogës, ku po hetohet aktiviteti kriminal i tij jashtë vendit (Greqi).