Destinacioni i javës: Kalaja Trekëndore, Butrint, 18 km nga qyteti i Sarandës

Kalaja trekëndore ndodhet në bregun jugor të kanalit të Vivarit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Ajo njihet me këtë emër nga planimetria në formën e një trekëndëshi.

Në të tri këndet e saj janë ndërtuar kulla në formë rrethore prej të cilave ajo jugperëndimore ruhet në lartësinë e plotë.

Ndërtimi i saj i takon disa fazave duke filluar nga shekulli i 13-të deri në shekullin e 18-të.

Muret e kalasë, frengjitë me mbulesë pllakash në formë çatie dhe kulla dykatëshe në pjesën jugperëndimore janë ndër ndërtimet më të hershme të saj.

Muret në pjesën më të madhe ruhen në lartësi të plotë dhe në gjithë perimetrin e tyre përveç frengjive të shumtë ndodhen edhe dy portat hyrëse për në kala.

Kalaja Trekëndore është pjesë e rëndësishme e sistemit fortifikues të Butrintit duke siguruar mbrojtjen si nga pjesa fushore ashtu dhe nga pjesa e detit Jon me të cilin lidhet përmes kanalit të Vivarit.