U qëllua me 9 plumba teksa pinte kafe/ Detaje nga ekzekutimi i biznesmenit nga Saranda, viktima goditi autorin me tavëll duhani
Të tjera detaje dalin nga vrasja e ndodhur këtë të premte në zonën e Selitës në Tiranë, ku viktimë mbeti 49-vjeçari Edmond Papa, biznesmen në Sarandë. Sipas informacioneve të mësuara në vendin e ngjarjes, mësohet se autori ka qëlluar me nëntë plumba Papën, i cili ishte duke pirë kafe në një lokal në këtë zonë.
Edmond Papa me origjinë nga Fieri por banues në Sarandë, ishte kthyer në Shqipëri pak kohë më parë, ndërsa vitet e fundit jetonte në Mbretërinë e Bashkuar. Mbrëmjen e kësaj të premte, ai ndodhej në kryeqytet, në zonën e Selitës ku banojnë edhe familjarë të tij, madje, banesa e këtyre të fundit ndodhej përballë lokalit ku u qëllua për vdekje 49-vjeçari.
Burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se autori dyshohet të jetë një vrasës profesionist, ndërsa pasi ka kryer ekzekutimin është arratisur nëpër rrugica të lagjes. Policia dyshon se një person e ka ndihmuar duke e pritur me një automjet, për t’u larguar më pas nga “Unaza e Madhe”.
Në momentin e atentatit, viktima e ka pikasur autorin dhe ka tentuar t’i përgjigjet me mjete rrethanore që i gjendeshin te tavolina ku ishte ulur. Sipas dëshmitarëve Papa e ka qëlluar me tavëll duhani.
Për krimin e rëndë, policia ka ngritur dy pista kryesore që lidhen me precedentët e viktimës në Angli për trafikim lëndësh narkotike dhe me ndonjë konflikt të mundshëm. Ai rezulton se është dënuar edhe në shtetin grek me 7 vite burg për trafikim droge. Po hetohen dhe bizneset e Papës në qytetin e Sarandës ku ai merrej me ndërtime dhe rezulton pronar i një hoteli.