Probleme nga moti i keq në Gjirokastër dhe Sarandë, dëme në ura dhe në rrugë dytësore

Në Gjirokastër dhe Sarandë reshjet e shiut kanë qenë intensive përgjatë gjithë natës dhe mëngjesit të sotëm.

Akset nacionale janë të lira por autoritetet kanë këshilluar shpejtësi të reduktuar për shkak të pranisë së ujërave. Përroi i Çullos në qytet ka sjellë prani aluvionesh në aksin drejt lagjes Gërhot situatë që po mbahet nën kontroll me mjete të bashkisë.

Disa akse dytësore kanë shembje të shpateve dhe rrëzime pemësh.

Në Finiq ka pasur bllokime të aksit Zminec-Gravë ku është punuar gjatë natës për ta zhbllokuar. Autoritetet raportojnë edhe për disa dëme në vepra si ura dhe rrugë dytësore.

Probleme me shembjen e dherave ka pasur edhe në aksin e ri Kardhiq-Delvinë por nuk ka pengesa në qarkullim.

Në Lazarat ka probleme me daljen e ujërave të përroit kryesor ndërsa gjatë natës është përfshirë nga flakët kabina elektrike e zonës dhe aktualisht banorët janë pa energji.

Në Delvinë ura e shembur e Vanës e bën të pamundur qarkullimin aktualisht për këmbësorët. Reshjet pritet të vijojnë përgjatë gjithë ditës ndërsa shumë zona si Dropulli, Cepo dhe fshatra të bashkive Sarandë, Përmet, Delvinë , Libohovë dhe Finiq kanë probleme të furnizimit me energji elektrike.