REPORTAZHI: Në Sarandë, nga rrugë të reja

Nga Hamdi Jupe

Rrugën e re për në Sarandë, atë Kardhiq – Delvinë, e kalova dy javë pas përurimit. Nuk isha atje ditën e “dasmës”, jo vetem prej vapës së madhe, por sepse nuk e duroj dot zallahinë e ceremonive të tilla, veçanërisht në të hyrë të korrikut. I pashë në televizor këngët polifonike të krijuara enkas “për Damianin dhe Ballukun”. Më kujtuan kohët kur ato u kushtoheshin Enverit dhe Mehmetit. Edhe Beqirit (Ballukut) natyrisht. Mediokritete që nuk i meritonte vepra e madhe e sapokryer.

Janë 34 km gjithsej, me gjerësi 10,6 metra. Ec e ndalo, ec e shiko, ec e verifiko, se mos ishte ndonjë sajim kompjuterik i tipit 3 D nga ato të Edi Ramës, por jo, ishte realitet. Kisha arsye ta bëja këtë verifikim. Kishin kaluar plot katërmbëdhjete vjet që flitej për të dhe “vu e në vend”. U lumturova kur ia dola në anën tjetër. Lumi i makinave lëvizte në të dy drejtimet e saj. Ca venin, ca vinin në viset e bregdetit. E shtunë, 16 korrik, koha e ndërrimit të turneve të turistëve.

I di akuzat për “vjedhje”, “shpërdorime”, “abuzime”  me fondet publike etj. Le të merret drejtësia me to. Kam “ujkun” përpapra makinës, s’kanë  ç’më duhen gjurmët e tij. Gurët bien mbi pemën që ka kokrra.   Rruga e re është vepër e qeverisë Rama. Nuk e teproj të them se do të mbetet në histori autorësia e saj. Do thuhet: “Kjo rrugë përfundoi në kohën e atij të gjatit”, pa ia përmendur emrin. Më 21 qershor 2018 ai deklaroi se, më në fund, do të bëhej ajo që ishte ëndërruar dhe premtuar prej më shumë se njëzetë vjetësh, sa herë kishte patur fushata zgjedhjesh. U bë.

Rruga kalon përmes peizazhezh tipike shqiptare nga më të larmishmit dhe madhështorët, nga ato të jugut të vendit, me kodra të  buta, përrenj, gryka, pyje, pamje të shkreta, ndonjë mal që çahet prej tuneliit etj. Sopoti apo Mali i Gjerë? E kujt është ajo pamje fantastike që na shfaqet atje përballë? Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar do thoshte Naimi, po të kalonte sot nëpër të. E ke atje natyrën shqiptare të gjithën për ta kundruar. Për qejflinjtë e shpejtësive me makinë nuk ka vend në atë rrugë, se s’të lënë kthesat.

Ata që nuk e dinë historinë e rrugëve drejt jugut, mund të habiten nga fjala “historke” e përdorur më lart. Rruga e parë që ka lidhur qendrën e Shqipërisë me bregdetin e Jonit, për rrjedhojë edhe Sarandën, ka qenë ajo nga Qafa e Llogarasë. U ndërtua në viitin 1917 nga robërit austriakë të kapur prej italianëve, gjatë Luftës së Parë Botërore, për nevoja të luftës, kuptohet. Deri atëherë nuk kishte rrugë tjetër që lidhte Bregun me Tiranën, përveç asaj të mushkave.

Për shkak të kësaj shkëputjeje natyrore, Himara dhe Mirdita, kishin njëlloj autonomie nga regjimi turk, kur vendi ishte pjesë e perandorisë.  Ato paguanin një lloj haraçi (takse) dhe … vrani veten në autonominë tuaj, të izoluar nga bota. Taborret turke nuk hynin dot atje për të “shtruar” të pabindurit. Rruga nga Qafa e Llogarasë ishte dhe mbetet interesante, por e rrezikshme. E kam provuar sa e sa herë, në komunizëm e demokraci. U vu dorë për ta zgjeruar e përmirësuar në fillim të viteve dymijë nga ushtria shqiptare, pra pas një shekulli. Tani atje punohet për tunelin, për ta hequr qafe Qafën e Llogarasë.

Rruga e dytë ishte ajo e Luftës së Dytë Botërore nëpëmjet Qafës së Muzinës. S’na u ndanë këto Qafat, por kur s’ke rrugë tjetër, “qafkën – qafkën” thonë korçarët. E ndërtuar nga italianët, për nevoja të luftës me Greqinë, ajo kalonte nga Delvina deri në vitin 1972, kur u hap rruga e re nga hidrocentralet e Bistricës. E paasfaltuar, ajo të shkulte veshkat nga vendi kur kaloje andej me makinë. E kam parë në vitin 1971, i ri atëherë, kur shkova në Tiranë. Edhe rruga e Muzinës ka mbushur tani tetëdhjetë vjet. Ajo nuk do të përdoret më, përveçse prej ca emigrantëve vendalinj që vijnë nga Greqia për në fshatrat e tyre në atë zonë, si dhe aventurierëve të vështirësive. Pra, lamtumirë Qafa e Muzinës, nuk do më marrrë më malli për ty. Ta kam parë hajrin për pesëdhjete vjet. Kam parë skena të llahtarshme aksidentesh automobilistile atje në dimër me akull e në verë me vapë.

Historia e rrugës së re filloi me një ëndërr të popullsisë së Sarandës: sa mirë do të ishte sikur të kishim një rrugë të shkurtër për Tiranë. Pastaj ëndrrës i dha një dorë qeveria e Berishës kur ishte në pushtet, e cila gërmoi  pesë lopata dhè në të dhe … ngeci. Tetë vjet qeveri nuk i mjaftuan ta përfundonte. Atë që nuk e bëri ai, e bëri Rama. “Nderi” dhe “turpi”  pra, i takojnë këtij të fundit. Saranda tani kapet nga Tirana jo më për pesë orë, por për tre orë e pak. Unë që deri dje shkoja një herë në vit në vendlindje, tani mund të hidhem më shpesh, për mall dhe për mall, për atë të shpirtit dhe atë të gojës. I ka të dya Saranda.

Hapja e rrugës ka patur vështirësitë e saj, jo vetëm financiare, por edhe të terrenit. Është dashur të gërmohej shumë material nga faqja e kodrave për të hapur trasenë e për ta sjellë në terezi, pa përmendur tunelin. Me sa kuptoj nga punët botore, është një terren ku dheu dhe çaklli mund të rrëshqasin pas shirave e të bllokojnë rrugën edhe pas hapjes së saj. Kritikët që rrinë me “hosten” në dorë do të sulen prapë nëpër  televizione, gazeta  e portale:  “Ja ç’na bëri korrupsioni!” Këta kritikë ndoshta nuk e kanë kaluar ndonjëherë Qafën e Llogarasë, as atë të Muzinës, pa le më Qafën e Buallit. Ata njohin vetëm Qafën e Kasharit. Një pjesë e izoluar e atdfheut tonë të vogël ka dalë në dritë. Edhe emrin ashtu e ka ajo zonë, Rrëzomë, nga fjala “rrëzë”, domethënë qoshe.

Rruga e tanishme për Sarandë, ndryshe nga dy të parat, u ndërtua nga vetë shqiptarët dhe për qëllime paqeje, pa ndonjë luftë botërore nëpër këmbë, po të mos përmendim atë në Ukrahinë. Kjo e fundit vetëm sa rriti kostot financiare, pra ato fondet shtesë që flasin kritikët. Ajo do t’ia rritë turizmin Sarandës dhe brigjeve rreth saj, do t’ia shtojë “hordhitë” e push(t)uesve prej vendit dhe botës që do të synojnë për atje. Rruga u përurua pa patur ndonjë fushatë zgjedhjesh në prag, përveç asaj të nxirjes në plazh.  Kjo është rrugë pa asnjë qafë. Edhe Qafa e Skërficës e theu qafën me hapjen e tunelit.

Shkova në Sarandë, duke e ditur mbipopullimin e saj  në verë, kaosin e transportit, çmimet e çmendura gjithandej, plazhet e “privatizuara” me pagesa të kripura të çadrave dhe marrëzi të tjera të këtij lloji, në një qytet kozmopolit tanimë. Vetëm plazhi publik brends në qytet ishte xhaba. Pyeta: si janë çmimet e sivjetme të ushqimeve? M’u përgjigjën: në qiell. Kërkova të di: sa është qeraja e një hyrjeje dhomë e kuzhinë në verë? M’u përgjigjën: Pa 50 Euro nata, as mos guxo ta kalosh Qafën e Gjashtës (prapë kjo Qafa) për të hyrë në qytet. U interesaova: si është trafiku i makinave? Ma shuan interesin me fjalën: katastrofë.

Mora rrugën për në fshatin tim në Konispol. Atje i kam  të gjitha falas dhe me bollëk. Falas i thënçin, se çmimi i mjaltit sivjet ishte rritur me 25 përqind, në raport me një vit më parë. Pyeta: Pse kështu? M’u pëgjgijën: Karburanti. U thashë: me sa di unë, bletët nuk punojnë me naftë.  Ma kthyen: ashtu thua t’i, por çfarë thotë tregu, kërkesë – oferta. E qepa.

Le ta gëzojnë Sarandën në verë ata që duan zhurmën dhe kaosin në vend të qetësisë. Saranda dhe Ksamili janë për ata që nuk dinë ç’të bëjnë paratë, qofshin këta nga vendi apo nga bota. Çmimet i vendos tregu,  nuk kanë faj sarandiotët. Por edhe këta kanë rol. Ja, nëpër rrugët e tij në mbrëmje pashë njerëz me tabela në duar në shqip e anglisht: “Shtëpi me qira”. Pra u ka mbetur tabela në dorë me ato qira të larta që mbajnë. Askush nuk ka ndëmend të falë paratë. Kush u zhgënjye nga qiratë për këtë vit, të lë këpucët për vitin tjetër.

Mora udhën e kthimit për Tiranë, tani nga rruga tjetër e re, ajo Sarandë – Qeparo – Kuç- Vlorë. Buzët po m’i lëpinin vargjet e këngës 150 – vjeçare e atyre anëve: “Dil o Lum i Vlorës – o,/ Dil se do të dalëm-o!” Pyeta pronaren e nje kafeneje në një fshat buzë rrugës: “A ka shumë banorë kjo zonë nga kalon rruga?” M’u përgjigj: “Edhe ka, por vetëm mosha ime e lart. Rinia ka ikur”. Ajo ishte te të pesëdhjetat. Rruga ishte e pëfunduar e gjitha, edhe pse nuk janë bërë ceremoni përurimi për të. Kishte goxha trafik në drejtim të Qeparoit, gjë që tregonte se njerëzit e njohin atë. Vetëm unë po kthehesha para kohe në Tiranë. Doja të shmangia vapën prej 40 gradësh që po afrohej.