Dhjetori afrikan në Sarandë…

Nga Thoma Nika

Edhe në Sarandë, ndodh rrallë që temperaturat të shkojnë në 17-20 e 22 gradë. E kur? Përtej gjysmës së dytë të dhjetorit, kur Planetet në kufirin e dy viteve, dërgojnë apo presin dëborën.

Përtej çdo rregullsie, ky 18 dhjetor ishte si një ditë pranvere. Me veshje pabesueshërisht të lehtësuar, me xhupa që hiqen e mbahen ndënë sqetull, me fëmijë që i gëzohen ditës diellore duke shijuar këndet e tyre të lojërave.

Hapësirat e plazheve me varka të përmbysura dhe trungje të nxjerrë në breg nga dallgët e ditëve më parë, janë edhe më tërheqëse për fëmijë që parapërqejnë natyralen.

Dikush nuk i ka rezistuar tundimit për t’u kredhur në valët e detit në një ditë si kjo. Peshkimi ka qenë një tjetër mënyrë dialogu me detin sot.

Të gjitha janë “dhurata” të bëra jo nga ndonjë “Babagjysh”, por nga ai që është identifikuar si “dhjetori afrikan”.