Destinacioni i javës: Parku Natyror “Syri i Kaltër”, 21 km nga qyteti i Sarandës

Parku Natyror i Syrit të Kaltër ndodhet rreth 21 km nga qyteti i Sarandës, në të majtë të rrugës automobilistike Sarandë- Gjirokastër, sektori Bistricë- Muzinë.

I zhytur në një luginë piktoreske, në një gjelbërim të dendur dhe mes kaltërsisë së ujrave ndodhet burimi kryesor, një ndër 18 burimet që rrjedhin nga Mali i Gjerë.

Ky burim i cili gëzon statusin e monumentit të natyrës prej vitit 1996, arrin thellësi mbi 50 m dhe i shëmbëllen për nga forma dhe kontrasti i ngjyrave një syri.

Në të gjithë këtë luginë kombinohet shumë bukur pylli i përzier mesdhetar me bimësi higro-hidrofile, përgjatë burimeve karstike dhe bimësia ujore përreth liqenit të krijuar nga ndërtimi i digës.

E gjithë kjo zonë për vlerat e veçanta shkencore, edukative, biologjike, estetike, didaktike, shlodhëse dhe turistike prej janarit të vitit 2022 është shpallur Park Natyror dhe përfaqëson një ndër ekosistemet natyrore më të rëndësishmë në Shqipëri.