Destinacioni i javës: Manastiri i Shën Mërisë, Kakome, 14 km nga qyteti i Sarandës

Manastiri i Shën Mërisë së Kakomesë ndodhet në shpatin e anës veriore të luginës së Kakomesë, në brendësi të gjirit me të njëjtin emër dhe është një nga vendet më piktoreske të bregdetit Jon.

Ai përbën pjesë në grupin e veçantë të manastireve të fortifikuara të vendit tonë. Sot nga kompleksi i tij ruhen kisha dhe dy ndërtesa që paraqesin vlera të veçanta tipologjike dhe arkitektonike.

Kisha përbëhet nga naosi në formë kryqi me kupolë triapsidale që ngrihet në lartësi në formën e një tamburi të lartë.

Hajati që gjendet në anën perëndimore zbukurohet me arkada dyshe të ndara nga kolona të holla guri.

Në brendësi kisha është e zbukuruar me pikturë murale ku sipas mbishkrimeve datojnë në vitin 1672 nga piktori Mihali nga Jerma (Zerma).

Përveçse një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore ky manastir vazhdon të jetë një vend i rëndësishëm pelegrinazhi.