Deputetja e Sarandës e irrituar: Berishën na e rrahu Edi Rama

Deputetja opozitare e Sarandës, Ina Zhupa, në një prirje të lexueshme për të qenë sa më aktive dhe e zëshme në kapitullin e ri politik, atë krah Berishës pas ikjes nga kampi Basha, u shpreh së fundi në parlament e bindur dhe ajo mbi autorësinë e Ramës në grushtin që pësoi Berisha një javë më parë, gjatë një proteste opozitare në ditën e Samitit BE-Ballkan Perëndimor.

Autori, sipas të gjithë treguesve, është një problematik mendor, por për njeriun që e pësoi, tashmë dhe për të gjithë kampin e tij, ai, Gerti Shehu, 21 vjecc, është shtyrë nga Rama për ta bërë atë që bëri.

“Mbrapa kësaj jeni ju, jo vetëm frymëzues të dhunës, por edhe të hartimit të një plani të mirëfilltë sesi të provokonit opozitën atë ditë”, tha Zhupa në parlament, duke iu drejtuar mazhorancës.

Si në të gjitha pohimet e ngjashme, që nga Berisha që i udhëheq, nuk ofrohet ndonjë fakt apo detaj mbi prapaskenën politike të atij zhvillimi – goditjen ndaj Berishës – por kalohet direkt në definicion politik absolut: u godit nga qeveria, nga Rama vetë!