Buziotët që kanë zgjedhur të “emigrojnë” ne Ksamil

Nga Feti Zeneli

Fund vjeshte, fillim dimri… Me kryetarin e Shoqatës “Tafil Buzi”, z. Medin Duro udhëtojmë drejt Jugut, madje drejt skajit jugur të vendit. Destinacioni final është Ksamili dhe qëllimi i udhëtimit; një takim me Degën e Shoqatës “Tafil Buzi” të këtij komuniteti, i paralajmëruar gjatë një vizite, jo krejt të rastësishme një ditë të zakonshme vjeshte, aty nga mesi i muajit nëntor.

Me ndërtimin dhe vënien në funksion, verën që shkoi, të Rrugës Kardhiq – Delvinë, e cila shmang kthesat e lodhshme dhe kilometrat e mundimshëm të Qafës së Muzinës, udhëtimi drejt perlës së bregdetit tonë jugur të jep kënaqësi të veçant në çdo kohë e stinë të vitit. Në një farë mënyre kjo rrugë ka bërë “me det” Jonian edhe Tepelenën tonë Vjosëane, pasi distanca është shkurtuar me gati 30 km, kurse udhëtimi nga një destinacion te tjetri zgjat vetëm 45 minuta.

Ndërkohë, në rang kombëtar apo më gjerë, kjo rrugë ka çliruar nga “ufff”-i i psherëtimës përtues e frenuese bashkë, këdo që i rrinte disi larg kësaj parajse turistike, kur sillte ndërmend kthesat e pafunda rraskapitëse të Muzinës dhe mendonte se, “mundimi i rrugës ja kalonte qejfit të detit”.

Po për një pjesë të madhe njerëzish, sidomos nga zonat jugore të vendit; dëshirën dhe dashurinë për bregdetin jugor të Sarandës në çdo kohë, nuk ka patur “Muzinë” që ta ndalte. Pengesa e vetme dikur ishte mungesa e lëvizjes së lirë, sistemi “non stop” i punës kolektive me “një gjysëm të diele pushim” dhe kufizimet e natyrave të tjera të një kohe plotë vështirësi e varfëri, deri në fund të viteve ’90. Këtë të vërtetë e konfirmon edhe fakti, që këto 3 dekadat e fundit, vetëm tepelenasit përbëjnë një ndër 3-4 komunitetet më kryesore të popullsisë së Sarandës, kurse në zonën e Ksamilit ata janë pa diskutim shumica. Këtu në skajin jugor të bregdetit Jonian, vetëm nga krahina e Buzit kanë migruar dhe ndërtuar jetesën familjare rreth 40 për qind e gjithë popullsisë vëndase.

Mbërrijmë shumë më shpejt se ç’e parashikonim në këtë qytezë bregdetare; të lakmuar për detin e kristaltë, pozitën gjeografike, gjiret e bukura me plot kontraste, pamjet befasuese, afërsinë me Butrintin, etj., dhe të shndërruar këto vitet e fundit, në një parajsë të vërtetë të turizmit shqiptar.

Plotë një stinë pas përfundimit të sezonit turistik, vendin e trafikut të rënduar dhe mbipopullit të tejskajshëm, e ka zënë lehtësimi i dukshëm dhe heshtja e përkohshme e dyerëve të mbyllura të disa bareve, restoranteve, marketeve, hoteleve apo njësive të tjera të biznesit veror. Sidoqoftë atë që mungon nga natyra mund ta gjesh e ta kompensosh me bujarinë e shpirtrave njerëzor, të ripërtërirë tashmë, ashtu si vetë toka, dikur e mbuluar nga grija e shkëmbinjëve bregdetar dhe e verdha e zbehtë e barit të tharë.

Për vendasit ka filluar stina e të mbushurit mirë me frymë, pas asaj lodhjeje 5- 6 mujore që të dikton sezoni turistik. Kjo, sipas tyre, është kohë ideale për t’u lehtësuar nga pesha e dashurisë së pashprehur plotësisht e qartësisht; për të pritur, nderuar e përcjell miq dhe të njohur, që nuk i ka sjellë dhe aq kënaqësia e detit paqësor, se sa dashuria e thellë e shpirtit njerëzor.

Një pohim i sinqertë ky, pasi takime të tilla shkëndijojnë momentin e ndezin zjarrin e bisedave paisonante, plotë kujtime nga koha e shkuar, për të pranveruar çdo stinë vjeshte apo dimëri; me fjalë, urime dhe përqafime të ndjera malli vëllazëror. Mjafton të dalësh sado pak nga ngazëllimi natyror dhe të futesh pa ngarkesa të tjera tek shpirtërorja. Pra duke prishur disi statukuonë e përditshmërisë plotë strese e meraqe për mbarëvajtjen e punëve dhe të jetës, për t’ u afruar me hap të lehtë tek ndjeshmëria e zemrës, edhe në ato raste kur një gjë të tillë nuk ta diktojnë lidhje të afërta gjaku. Dhe Ksamili mund të jetë nga të paktat vendbanime tek ne, të krijuara jo dhe aq mbi bazën e vëllazërisë, se sa të “vëllamërisë”, duke pirë gjakun e karaktereve më të mira të bashkëjetesës dhe harmonisë njerëzore, të të ardhurve nga zona të ndryshme të vendit, kryesisht të Shqipërisë jugore, dhe ku ditë pas dite, thesareve të natyrës ua janë bashkuar edhe thesaret e shpirtit.

Nga ana tjetër, ky është një moment i përshtatshëm, për ta hedhur vështrimin prapa në kohë, në mënyrë që të krijosh një përfytyrim më të qartë, se si janë ngritur themelet e jetesës së sotme, se cilat janë sjelljet dhe sakrificat njerëzore për të ndryshuar realitetin; bashkëpunëtorët dhe kundërshtarët, vizionarët dhe ngatërrestarët, dobësitë dhe fuqitë, mundësitë dhe hamendësitë, etj.

Parë në këtë këndvështrim, të krijohet pështypja sikur historia e Ksamilit është e re; pra një vendbanim, që nuk e ka jetuar shkëlqimin, pushtimin, shkatërrimin dhe rindërtimin e shekujve të shkuar. Duket se, territori përreth “Gjirit të Tetranisit” filloi të merrte karakteristikat e një vendbanimi funksional, gati 6 – 7 dekada më parë, pas ndërtimit në vitin 1959 të rrugës për në Butrint dhe vizitës në Jug të Nikita Hrushovit. Mbjellja simbolike e një fidan portokalli në fshatin Stjar, pranverën e atij viti nga udhëheqësi i BRSS-ve, duket sikur shënoi fillimin e një “epoke të re” për shndërrimin e bregdetit shkëmbor të jugut në një vend të begatë plantacionesh të mbushura me agrume e ullinjë, me prodhimin e të cilave, sipas njeriut më të fuqishëm të planetit për kohën, “…do të furnizoheshin gjithë vendet e kampit socialist(!)”

Siç pohojnë banorët e vjetër, Ksamili i krijuar nga çamët e ardhur pas gjenocidit grek prej fshatit Varfanj të kazasë Gumenicë, kishte mbetur në atë kohë gërmadhë. Në vitin 1965 filloi rigjallërimi i fshatit me banorë të ardhur nga krahina të ndryshme të vendit, në një kohë që regjimi i mëparshëm filloi të materializonte idenë e investimeve në bregdetin jugor, për ta kthyer atë në një vend të gjelbëruar brezaresh me ullinjë, portokalle, limona, manderina…, duke krijuar pak a shumë një “Korfuz” të vogël shqiptar përballë gadishullit grek me emër ndërkombëtar. Në vijimësi u mbollën rreth 200 mijë argume dhe afro 60 mijë rrënjë ullinj. Gjithëçka tjetër për atë kohë mbetej natyrore, me tre ishujt e bekur nga Zoti, në një sipërfaqe totale që shkon diku tek 10 ha.

Me ndryshimin e sistemit politik në fillim të viteve ’90 dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, vlera e këtyre pasurive u bë e prekshme dhe e lakmueshme për investime të ndryshme private. Kësisoj nga rreth 20 godina në fund të viteve ’80, sot numri i objekteve të banimit dhe shërbimit në Ksamil e ka kaluar shifrën 500. Po kështu me ritme të larta është shtuar dhe popullsia, ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, e cila nga rreth njëmijë banorë dikur, sot ka arritur gati 10 herë më shumë. Pjesë përbërëse e këtij komuniteti janë edhe dhjetëra banorë që kanë migruar nga fshatrat e krahinës së Buzit, si Izvori, Arrëza, Maricaj, Luftinja, Zhapokina, Rabija, Komari, Gëllava, Shalësi, Selcka, etj. Mjafton të përmendim se vetëm nga dy fshatra të kësaj krahine, Izvori dhe Luftinja janë shpërngulur në Ksamil gati 130 familje. Për rrjedhoj këtu zhvillon veprimtarinë edhe dega më e madhe e Shoqatës “Tafil Buzi”…

Plotë 188 vjetë më parë, Kapedan Tafili, ndoshta duke udhëtuar këtyre anëve do të kthehej nga Korfuzi, mbase në itinerarin më të afërt që ndodhet veç 3 km nga Ksamili, ku kishte shkuar për t’i shpëtuar arrestimit të Portës së Lartë, pas marrjes së Kalasë së Beratit nga forcat kryengritëse që ai drejtonte. Është ai moment i fiksuar në vargjet e këngës: “Erth’ një kartë nga Korfuzi/ Thonë doli Tafil Buzi/ Thanë ky dolli në Vlorë/ Me tre bajrakë në dorë…”.

Por migrimi, gati dy shekuj më vonë i pasardhësve të Tafilit në trojet e Ksamilit, duket sikur nuk ka asnjë lidhje logjike me këtë fakt historik. Sidoqoftë, në subkoshiencën e buziotëve, bëmat e këtij trimi me fletë, përcillen dhe si amanet për t’i nderuar emrin dhe veprën, sa herë pohojnë, që “jemi pasardhës të tij”.

Tafil Buzi është një majë e lartë atdhetarie, devotshmërie e trimërie për të hedhur vështrimin fushave të së sotmes, që të shohësh se si janë trashëguar e kultivuar bimët e vlerave dhe virtyteve më të mira të heroit buziot, ky ushqim i domosdoshëm shpirtëror për brezat e ardhshëm. Kuptohet, që koha e luftës dhe koha e punës ndryshojnë nga objekti i veprimtarisë njerëzore që duhet ndërmarrë, por kanë të përbashkët përkushtimin dhe vendosmërinë për t’i bërë ëndërrat realitet, deri në atë masë që të meritojnë nderim e respekt të gjerë në komunitet. Por sa dhe si e kanë nderuar buziotët e Ksamilit emrin e Kapedan Tafilit, në një kohë që ka më kapedanë dhe heronjë të këtyre përmasave?

Një rrugë me emrin “Tafil Buzi” në Ksamil, do të kishte qënë shumë pak për të nderuar emrin e këtij trimi të madh, nëse pasardhësit buziot të kësaj kohë nuk do të shquheshin për atdhedashuri, punë, kulturë e tradita.

-Ishte 20 tetor i vitit 1996, -tregon Astrit Oruçi. -Zhvilloheshin zgjedhjet lokale. Ksamili sapo ishte organizuar si njësi administrative më vete, pasi deri në atë moment bënte pjesë në Bashkinë Sarandë, e cila drejtohej nga përfaqësues i PBDNJ-së. Në rang kombëtar; PD në pushtet, PS në opozitë. Siç dihet, zgjedhjet e përgjithëshme të atij viti, për shkak të manipulimeve të rënda, ishin kontestuar fuqishëm edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo situatë u përsërit edhe me zgjedhjet lokale. Unë i kam vajtuar vetë në kurriz pasojat e kësaj katrahure, edhe pse garoja si kanditat për kryetar komune në Ksamil, duke përfaqësuar Partinë Demokratike. Në Sarandë krerët e lartë të PD-së kishin hyrë në pazare me përfaqësuesit e PBDNJ-së dhe ish-kryetarin e Bashkisë Sarandë të periudhës ’92 – ’96, që edhe komuna Ksamil të fitohej nga po kjo forcë politike. Ishin bërë të gjitha përgatitjet, duke filluar me listat e zgjedhësve, që u mbushën me minoritarë të zonave rreth e qark Ksamilit. Atëherë doli në skenë edhe fenomeni i listave shtesë, të cilat u përdorën rëndshëm në zgjedhje, me synim kalimin me çdo kushte të drejtimit të Komunës tek përfaqësues të minoritetit, duke lënë në minorancë atë pjesë që në fakt përbënte shumicën e popullsisë së Ksamilit, të ardhur kryesisht nga krahina e Zonës së Buzit Tepelenë, por edhe zona të tjera të jugut. Përfundimisht, falë mbështetjes së patritotëve të mi dhe karakterit tim të paepur për luftën pa kompromis që bëra, gjë për të cilën më vonë mora dhe kosto nga ata që u prisha planet, unë u shpalla fitues me një diferencë të ngushtë votash me përfaqësuesin e PBDNJ-së. Ky ka qënë një moment shumë i rëndësishëm kthese në jetën social – politike të Ksamilit, përndyshme ai do të ishte kthyer në një “Himarë” të dytë…

Qeverisja e shumicës nga pakica, që ndodh me zgjedhje të manipuluara, siç mund të ndodhte në zgjedhjet vendore të ’96-ës në Ksamil, në një farë mënyre është nënshtrim, është “pushtim”. Mjetet dhe kohët ndryshojnë, qëllim është i njëjtë, poshtërsia – tejet çnjerëzore. Por këto ofensiva e tentativa dështojnë nëse invadorët militarë apo “të civilizuar” përballen me karaktere të fortë trimash e atdhetarësh të devotshëm. Rasti që treguam më sipër është dëshmi e trashgimisë së vlerave dhe virtyteve më të mira të një buzioti Tafiliot, që me punën, veprimet dhe qëndrimet e tij në shërbim të komunitetit, nderon emrin e vetë, por edhe të paraardhësve të tij. Dhe Astriti është një buziot tipik në këto cilësi, familja e të cilit u shpërngul nga Izvori në vitin 1991 për t’u vendosur në Ksamil. Trashgimtar i denjë i babit të tij të ndjerë, traktoristit të njohur Qemal Oruçi, i dekoruar 3 herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe kandidat për t’u bërë Hero i Punës Socialiste, për ato 35 vite pune në këtë profesion.

Pas Astritit, drejtimin e komunës Ksamil për 9 vite rresht e vazhdoi një buziot tjetër, Vesel Koçiu, i cili ka një meritë të padiskutueshme në hartimin dhe miratimin e planit rregullues në kohën e qeverisë “Nano”. Dhe pas Veselit prapë një tepelenas tjetër, Besnik Abedini nga fshati Damës, i cili pajisi me dokumantacion legal hapësirat e plazheve për bizneset që i shfrytëzonin dhe posedonin ato, ndërkohë që lart bëheshin llogari korrupsioni me “të fortët” dhe “trashëgimtarë” të katapultuar për “tokën e premtuar”. Por themelet qenë hedhur të forta, “në shkëmb” qysh në mandatin e parë, ndaj vazhdimësia qe më e lehtë. Kësisoj, hap pas hapi, Ksamili po zbukurohej, shtohej e fuqizohej ekonomikisht, duke u shndërruar në një nga destinacionet më të preferuara turistike, këto vitet e fundit, konkurent i denjë me Korfuzin përballë, që siç shkruante para pak kohësh media italiane, “Si Viaggia”, për këtë perlë të Mesdheut: “Ksamil do të thotë gjashtë milje”. Pra, me pak fjalë, ky “sqarim” bëhej për të huajtë: Ja ku është Ksamili njëlloj si Korfuzi!…

Në këtë realitet, buziot të shumtë kanë lënë gjurmët e punës së tyre, duke u bërë objekt dhe subjekt i këtyre ndryshimeve. Një pjesë me mundësitë e qëndrimit këtu; të tjerët me kursimet dhe fitimet e emgracionit, ku përfituan njëkohësisht edhe profesione e zanate të nivelit perëndimor, duke u bërë mjeshtra punimesh për duroaluminin, hidraulikë, mekanikë, muratorë, bojaxhinë, suvaxhinjë, parukierë, kuzhinierë, hotelierë e kështu me radhë. Madje një pjesë, nëpërmjet këtyre profesioneve kanë ngritur biznese të suksesshme kur janë kthyer në Ksamil. Një prej tyre është edhe i biri i ish- Heroit të Punës Socialiste, Barjam Beshikut nga Maricaj, që i specializuar si pastiçier në Greqi, ka ngritur një punishte të tërë pastiçerie dhe një bar-restorant, ku përveç familjarëve ka punësuar edhe disa të ardhur nga zona e Buzit. Në sektorin e shërbimeve turistike kanë konsoliduar bizneset e tyre shumë buziot të tjerë, por midis tyre mund të veçojmë Agim Demaj nga Zhapokika 2 dhe Eris Dauti nga Buz Golemaj. Eris Dauti është djali i Skënder Dautit, një prej aktivistëve kryesor të Degës së Shoqatës “Tafil Buzi” së bashku me kryetarin e saj Riza Pashaj, ndarë nga jeta para pak javësh. Kompleksi “Abiori” i vëllezërve Oruçi nga fshati Izvor është një nga bizneset më të rëndësishme në këtë fushë. Djemtë e Qemal Likës nga Luftinja 1, kanë investuar ndjeshëm në sektorin e kultivimit të midhjeve, duke ngritur një nga impiantet më të mëdhenjë në bregdetin e jugut. Por biznesi më i fuqishëm me pronarë buziot të migruar në Ksamil është ai i ngritur nga Naim Oruçi, një investim gjigand për zonën, që shkon diku tek 10 milion euro.

Mund të përmendja dhe raste të tjera, por kaq mjafton për të evidentuar trashgiminë e duhur të vlerave dhe vityteve Tafiliote tek buziotët e sotëm të migruar në Ksamil, që ndryshe nga shumë të tjerë, të cilët “torturohen” në përpjekje për të braktisur atdheun, duke u shpërndarë sa andej – këtej nëpër botë, këta “lumturohen” nëpërmjet sakrificave e bashkëpunimit në komunitet. Dikush mund të thotë, se i favorizon dhe vendi që kanë zgjedhur për të jetuar në një zonë elitare të turizmit shqiptar. Dhe kjo është shumë e vërtetë. Por, po kaq i vërtetë është dhe fakti tjetër, që ata u vendosën në Ksamil duke shfrytëzuar në mënyrë individuale hapësirat e lëvizjes së lirë, gjë të cilën e ka në dorë kushdo që dëshiron ta bëjë. Kjo varet, pastaj, nga cilësitë e karakterit, modelet e përdoruara për edukim e inspirim nga e shkuara, etj. Ndryshe nga ata, disi në “zbarzdësi vlerash” të trashëguara, e veçanta e këtyre buziotëve apo më mirë të themi, fati komunitar i tyre është që janë edukuar edhe me historitë, trimëritë apo aktet e tjera patriotike të Kapedan Tafilit, në një kohë kur këto cilësi çmoheshin dhe vlerësoheshin shumë. Dhe kjo nuk është diçka e parëndësishme në shoqërinë tonë, për një jetë të virtytshme.

Këta lloj “luftëtarësh”, përveçse me një zell të jashtëzakonshëm për të kthyer prapambetjen në zhvillim dhe dobësinë në fuqi, shquhen për harmonizimin e plotë të ndjenjave shpirtërore me arsyen e veprimit të tyre racional.

Në Ksamil kam shkuar me dhjetra herë për turizëm, por kënaqësia që provova këtë herë mes buziotëve të mi të dashur ishte shumë herë më e madhe. I tillë ishte dhe trishtimi që ndjeva 23 vite më parë, në pranverën e vitit 1999, kur së bashku me poetin dhe shkrimtarin e shquar Agim Shehu, mbërritëm këtu në kuadrin e përgatitjes së një dokumentari me temë nga ngjarjet e Kosovës. Pasi kishim shkuar pothuajse në çdo kamp “refugjatësh” të ngritur për pritjen e vëllezërve kosovarë në vendin tonë, na kishte mbetur Saranda e Ksamili, ku ishin vendosur disa prej tyre. Mes të tjerash konstatuam, se ata duke kujtuar në biseda aktet e përballjes dhe të rezistencës në të gjitha format e mundshme, dukej sikur më shumë se sa fatkeqësi, e quanin “fat” atë çfarë u kishte ndodhur, nga që u ishte dhënë mundësia të konkretizonin fjalët me veprat, për sa i përkiste ndjenjës së lartë fisnike të atdhedashurisë.

Në shpirtin e tyre përfytyroje statuja të padukshme ringritjeje, ndërkohë që një pjesë e mirë njerëzish e humbasin shpresën se do të ngrihen pasi janë rrëzuar me forcë përtokë. Ndodh kështu sepse, duke qënë luftëtarë shpirtëror të së vërtetës, janë të aftë të lëvizin me efikasitet midis mendimit dhe veprimit, gjithnjë mbi bazën e vullnetit, arsyes dhe karakterit të fortë të tyre.

Kështu duhet të ketë ndodhur më herët edhe me rastet e përballjes dhe rezistencës të të ardhurve të parë në tokën e Ksamilit, çamët e fshatit Varfanj të kazasë Gumenicë, përzënë nga trojet e tyre pas gjenocidit grek.

“Është jashtë çdo përfytyrimi të një mendje normale, -m’u drejtua në një moment Agimi, -që kjo tokë e bekuar nga Zoti, të pres e përcjellë fatkeq, ndërkohë që duhet të priste e përcillte vetëm turist”. Poeti dhe shkrimtari i njohur, i ndarë nga jeta para pak kohësh, nuk pati mundësi të shihte nga afër zhvillimin turistik të Ksamilit, pasi në vitin 2000 u largua si azilant politik në Gjenevë të Zvicrës. Por sikur një çast ta kishte patur këtë mundësi, edhe i dergjuar në shtrat të ishte, do të çohej dhe me siguri do të shkruante ndonjë perlë për perlën e turizmit shqiptar.