Pa leje, IKMT hedh në erë me shpërthim të kontrolluar objektin 5 katësh në Dhërmi

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka hedhur në erë ditën e sotme me shpërthim të kontrolluar, një objekt 5 katësh.

Bëhet fjalë për një objekt katër kate mbi tokë dhe një nën tokë, pa leje në Dhërmi, në zonën e Gjilekës, i cili është hedhur në erë në orën 15.00.

Sipërfaqja e ndërtimit të këtij objekti është 2160 metër katrorë dhe një kat nëntokë 898.2 m2.

Për realizimin e operacionit u hapën 618 furnela, vrima, në trupin e objektit ku u vendosën 30 kilogramë lëndë eksplozive.

Inspektorët e IKMT së bashku edhe me Policinë e Shtetit, morën masa për lajmërimin e banorëve në afërsi të objektit si dhe për vendosjen e perimetrit të sigurisë.