Sarandë, veprimtari promovuese për librin e Odise Kotes

Në ditën e fundit të Tetorit të Librit, një tjetër promovim në mjediset e Galerisë “Art-Saranda”.

Saranda u bë stacioni i radhës në turin e promovimeve të organizuara nga autori gjirokastrit Odise Kote, për romanin e tij më të ri “Amerikani”. Promovimi u organizua nga Bashkia e Sarandës, në bashkëpunim me Klubin e Krijuesve “Joanianë”, në një atmosferë të ngrohtë mes njerëzve të letrave, artit, kulturës dhe medias.

Duke ndarë me të pranishmit emocionin dhe kënaqësinë e prezantimit të romanit “Amerikani, Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma tha se “Ky roman është një vlerë e re që i shtohet panteonit të letërsisë shqipe dhe shpresojmë që ky prezanti. të na shërbejë për të nxitur leximin e librit, për të gjetur secili pak kohë për të lexuar”. Talentin e spikatur të autorit Kote e vlerësoi edhe Kryebashkiaku gjirokastrit Flamur Golemi.

Poeti dhe studjuesi Timo Mërkuri paraqiti një material zbërthyes për vlerat e romanit “Amerikani”. Konsiderata të larta për autorin Odise Kote dhe për romanin më të ri, dha Hekuran Halili, poet e prozator dhe nënkryetar i Klubit të Krijuesve “Jonianë”.

Një vështrim më kapilar për romanin bëri poeti dhe studjuesi i letërsisë Bardhyl Maliqi.

Një profil të autorit dha Dr. Irena Gjoni, Master në Letërsi. Me konsideratë folën edhe gazetarët Ëngjëllush Serjani e Bardhyl Bejko.

Autori Odise Kote u shpreh i surprizuar nga organizimi i promovimit, nga diskutimet profesionale e serioze mbi letërsinë dhe romanin e ri, me një komunitet artistik që e quajti tejet simpatik, të sofistikuar, kuruar më së miri në sprova botimesh e ekspozimesh.