Gjashta, përfituese direkt nga investimet turistike

Dëgjesa publike me banorë të Gjashtës u përshkua nga qasja për ta trajtuar atë me statusin e një lagjeje të qytetit.

Kjo u shpreh së pari në fjalën e Kryetarit të Bashkisë Adrian Gurma, i cili tha se “Në Gjashtë problematikat nuk janë si në pjesën tjetër të territorit dhe ju jeni përfitues edhe nga turizmi që bëni”.

Ai nënvizoi se investimet kryesore që janë kërkuar, kemi gjetur mundësinë ti realizojmë. Duke qenë fshati më i afërt me monumentin që i ka dhënë emrin Sarandës, investimi për këtë rrugë ishte ndër kërkesat prioritare.

U tha se vetëm në këtë mandat Bashkie është bërë punë për Gjashtën, duke veçuar procedurat e shpejtuara për marrjen e AMT-ve, kanalet kullues, shpërndarjen e ullinjve falas etj. Ndërkaq, edhe pretendimet kanë qenë për më shumë.

Banorët kërkuan përmirësim të furnizimit me ujë të pijshëm, zgjerim të rrugës te Xhamia dhe të nisin investime edhe në rrugë të brendshme, të bëhen përmirësime në ndriçimin publik etj.

Ata kërkuan mbështetje edhe për kapërcimin e ngërçit me pronësinë mbi tokën, pasi diku janë bashkëpronarë me shtetin e diku me fqinjin apo fisin. Në këtë dëgjesë është hedhur edhe ideja e hapjes së rrugës së gjashtë, që do të thotë jetë për Gjashtën.