Buxheti 2023, një projekt besimi me qytetarët, por edhe investitorët
Nga Blendi Klosi*
Projektbuxheti është në fakt diskutimi më i rëndësishëm parlamentar. Është raporti i këtij parlamenti, i kësaj mazhorance, në fakt i gjithëqeverisë së vendit dhe politikës së vendit me qytetarët.
Kryefjala e buxhetit është besimi. Sa besim ne krijojmë me ato që bëjmë, me ato që themi, me ato që ne debatojmë pozitë – opozitë, tek qytetarët e thjeshtë.
Kryefjala e këtij buxheti është besimi që ne i kërkojmë qytetarëve, që të na besojnë, sepse ne jemi me ata përballë një krize të re që shfaqet jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Rajonin tonë.
Kërkojmë besim se si Parti Socialiste, si parti e majtë, do të vazhdojmë të kujdesemi për të gjithë njerëzit e thjeshtë dhe të zakonshëm të këtij vendi, për ata njerëz, të cilët kanë nevojë për këtë mbështetje, kanë nevojë të kuptojnë që ky buxhet, një pjesë të madhe të tij do ta çojë drejtpërsëdrejti në këto familje.
Kanë nevojë të besojnë që në këtë dimër, që po shfaqet në horizont, do të kenë pranë një përkujdesje shtetërore, aq sa ajo është brenda këtij besimi.
Ne kërkojmë të kuptojnë njerëzit se nuk jemi një vend i mbyllur në vetvete. Tashmë është buxheti i parë i një vendi që ka hapur negociatat me Bashkimin Europian. Për herë të parë ne kemi këtë buxhet qeverisës, i cili është një partneritet dhe tek pjesa e besimit, padyshim ky buxhet nuk mund të jetë i ndërtuar nga besimi që ne kemi me aleatët tanë euro-atlantikë, nga besimi që ne duhet t’i japim nëpërmjet politikave tona një vendi, i cili është shumë i vogël në Europë për të ndikuar në të gjithë krizën globale, por padyshim influencohet nga kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Ne jemi qartazi me aleatët tanë euro-atlantikë. Jemi qartazi në këtë luftë. Jemi qartazi në këtë përpjekje.
Prandaj, buxheti i shtetit duhet kuptuar si mekanizëm për t’iu afruar qytetarëve. Ju e diskutuat sot dhe në fakt, besoj do të kemi mundësinë të shohim edhe votimin që do të ndodhë; por padyshim nuk presim të kemi opozitë që të votojë buxhetin, mirëpo duhet të kemi një opozitë, e cila të diskutojë për buxhetin.
Kjo nuk ndodhi as sot, nuk ndodhi as gjatë këtyre ditëve. Nuk dua të hyj në debatin me ju, por dua të them fare qartë se ky besim që krijohet nga këto mekanizma shtetërorë, u vërtetua një vit më parë në përballjen elektorale. Edhe pse dolëm nga pandemia, edhe pse dolëm nga një krizë e madhe jo vetëm shqiptare, por globale, përsëri morëm mandatin e tretë.
Punojmë për njerëzit, qeverisim për njerëzit, bashkëbisedojmë me njerëzit, qajmë hallet dhe shqetësimet e tyre. Një vit më parë u provua dhe këtë besim ne njerëzit na e dhanë.
Unë kam fatin, nderin dhe respektin e kësaj partie të bëj jetën politike në Vlorë. Është një qark që realisht meriton të diskutohet se çfarë bëjmë ne me politikat tona, për të krijuar besim tek ata njerëz.
Çfarë kemi bërë ne, edhe me këtë buxhet, për të plotësuar investime të mëdha publike për atë qark dhe për të marrë nga ata njerëz besimin. Besimi është gjëja më e rëndësishme që ne duhet të krijojmë në raport me qytetarët. Investimet publike, për të ndërtuar rrugën Fier -Vlorë, për të ndërtuar ‘By pass-in’ e Vlorës, për të investuar në tunelin e Llogarasë apo tunelin e rrugës Kardhiq – Delvinë – Sarandë, investimet e Rilindjes urbane në të gjithë këtë territor, kanë prodhuar besim dhe transformim të Qarkut, rritje të ekonomisë. Ky është besimi që ne duhet të krijojmë me politikat tona.
Le t’i marrim gjërat me radhë! Le të kuptojmë se çfarë kanë krijuar këto investime publike. A janë shtuar pas kësaj politike të qeverisë shqiptare për rritjen e investimeve të qënësishme në fushën e transformimit të territoreve tona në zona që prodhojnë ekonomi? A ka prodhuar sot shumë më tepër investime private në hoteleri? A kanë besuar këta investitorë te kjo politikë, te ky buxhet? Kanë besuar! Ka në të gjithë qarkun, në të gjithë Shqipërinë, investime të qënësishme në hoteleri.
A kanë besuar banorët e zonave rurale në këto politika të qeverisë shqiptare për të transformuar vendin tonë, jo vetëm në një zonë ku vetëm prodhojmë për komunitetin, por për transformimin e Shqipërinë në një prodhues që të ketë mundësinë të eskportojë?
Po të shikoni, kudo në Shqipëri, në zonat tona rurale apo urbane, ka prodhues të rinj, të cilët tashmë kanë kuptuar se vlera e këtij vendi është ajo e bashkëpunimit me partnerët.
A kemi krijuar besim ne në Qarkun e Vlorës për investime të qënësishme? Ky është debati që duhet të bëjmë! Ne duhet të kuptojmë se çfarë prodhon ky projektligj, çfarë prodhon ky projekt-buxhet. A krijon besim? Besimi është tek investimi. Besimi është tek energjia. Besimi është tek ajo që ata investojnë dhe prodhojnë.
Në Qarkun e Vlorës ka investime të qënësishme, të cilat nuk mund të vinin në rast se ne nuk krijonim buxhet dhe nuk krijonim mundësinë nëpërmjet këtyre dhjetë viteve të administrimit të pasurisë publike për investime qindra millionë euro, të cilat vijnë në Aeroportin e Vlorës.
Beson investitori te kjo mazhorancë. Beson investitori te kjo qeveri. Beson investitori te këto ligje për të investuar mbi 100 milionë euro për Aeroportin e Vlorës.
Besojnë investitorët. Besojnë në ekonominë e Vlorës, Sarandës, Dhërmiut, Himarës, për të investuar dhjetëra e qindra milionë euro në Portin e Vlorës, në Portin e Sarandës.
Duhet të krijojmë besimin që duke investuar në ekonomi, ne prodhojmë ekonomi.
E fundit, ky projektligj ka prodhuar dhe një besim tjetër, ka krijuar besimin që ju do të humbni. E di ku evidentohet kjo? Kemi shumë vite në Parlament dhe kurrë nuk ka ndodhur që të bëjmë mbledhje komisioni e të jetë e pranishme vetëm mazhoranca për të diskutuar projektligjin për buxhetin.
Kurrë nuk ka ndodhur që në diskutimet parlamentare të tërhiqen 15 deputetë të opozitës. Nuk keni besim të realizoni asgjë. Nuk keni asnjë garanci që do të fitoni në ndonjë Bashki në garën e ardhshme elektorale.
Ky është besimi!
*Nga fjala e mbajtur në Kuvnd gjatë diskutimit të projektbuxhetit