PS në fushatë, prezanton “guerilasit” në Gjirokastër

Teksa opozita është përfshirë në një krizë të vazhdueshme që një Zot e di se kur do të marrë fund, Partia Socialiste ka nisur fushatën në terren për zgjedhjet e vitit 2023. Mjafton të shohësh takimet që publikojnë në rrjetet sociale deputetët, kryebashkiakët dhe zyrtarët e tjerë të PS-së. Sot në Gjirokastër socialistët kanë zhvilluar një takim me koordinatorët dixhitalë të partisë, për të cilët kryebashkiaku Flamur Golemi uroi me humor që të mos i marrin m’sysh.

“Po the Gjirokastra i ke thënë të tëra edhe kur është fjala te organizimi i Partisë Socialiste në hapësirën dixhitale Faleminderit me zemër çdo aktivisti e anëtari të zakonshëm për angazhimin e vazhdueshëm plot përkushtim. Larg syri keq larg…”, shkruan Golemi.

Po çfarë janë koordinatorët dixhitalë dhe rrjeti i tyre në parti? Kryesisht janë aktivistë dhe anëtarë partie apo simpatizantë të zakonshëm që bëjnë “luftë guerrile” në rrjetet sociale dhe forume të tjera online.

Njerëz që i bëjnë jehonë politikave e nismave të PS, investimeve qeveritare apo temave të ndryshme që sillen në hapësirën publike.