Rama kritika bashkive për ndërtimet në bregdet, pastrimin e territorit dhe “bashkëqeverisjen”

Kryeministri Edi Rama kritikoi sot disa kryetarë të bashkive për mos angazhimin e tyre sa duhet në aksionin kombëtar të pastrimit të territorit, lejimin e ndërtimeve pa leje kryesisht përgjatë bregdetit si dhe mospërgjigjen ndaj ankesave të qytetarëve përmes platformës së bashkëqeverisjes.

Gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare, Rama tha se zgjedhjet vendore janë edhe një bilanc që votuesit do të bëjnë për qeverisjen vendore’. Në këtë aspekt ai tha se nuk ishte optimist për një pjesë jo të vogël të bashkive.

“Me sa duket disa kryetarë bashkishë që hynë në një palë zgjedhje pa garë dhe u zgjodhën kryetar bashkishë në një ndeshje pa kundërshtar, kanë vazhduar për inerci të qëndrojnë në krye të bashkive, a thua se kundërshtarët e komunitetit nuk ekzistojnë, a thua se papastërtia nuk ekziston. Po marr papastërtinë, sepse është “A” dhe sfidë e këtij mandati”, u shpreh kryeministri.

Sipas Ramës, një pjesë e kryetarëve të bashkive janë krah për krah me ministren e Turizmit dhe Mjedisit për të garantuar që Shqipëria të mbyllë këtë kapitull turpi, ndërsa një pjesë tjetër nuk janë angazhuar në këtë proces.

Këtë, ai e cilësoi si fatkeqësi të madhe.

Kryeministri Rama në fjalën e tij u kërkoi krerëve të bashkive t’u përgjigjen të gjitha ankesave të qytetarëve që vijnë përmes platformës së bashkëqeverisjes, duke iu kujtuar atyre edhe se ishte detyrim ligjor.

“Problemi kryesor, i vetmi sot për hir të së vërtetës, i platformës së bashkëqeverisjes janë bashkitë. Ministritë që janë shumë më larg qytetarëve, natyrshëm në raport me bashkitë që janë institucionet me ligj e zakon pranë qytetarëve, ashtu sikundër institucionet e varësive të ministrive e kanë mësuar më në fund që ankesave të qytetarëve në platformën e bashkëqeverisjes duhet t’u përgjigjesh në kohë, Bashkitë jo”, tha Rama.

Rama tha se kjo ishte një kosto për Partinë Socialiste.

“Me çfarë syri e faqeje do të vijnë te ne e të kërkojnë të jenë përsëri kandidat, ndërkohë që edhe për plehrat edhe për mos përgjigjet në platformën e bashkëqeverisjes, edhe për shërbimet, nganjëherë skandaloze, dhe për moszbatimin e ligjit dhe indiferencën ndaj të rinjve të këtij lloj tipi kryetari bashkie, që është pjesë e familjes së krerëve të bashkive të PS-së, kusuret i mbajmë ne, qeveria, grupi parlamentar, PS, këtu në krye të punëve dhe në ballin e betejës. Ndërkohë që as ministrant, as deputetët nuk kanë mundësitë dhe po të duan të bëjnë punën e atyre krerëve të bashkive që i kanë kthyer kurrizin elektoratit të PS-së dhe ligjit”, shtoi Rama.

Nga ana tjetër, kryeministri paralajmëroi krerët e bashkive që lejojnë ndërtimet pa leje në bregdet se do t’i denonconte në SPAK.

“Për cilën arsye duhet të angazhohet Policia e Shtetit, IKMT, një forcë e tërë njerëzore, fonde për naftë, për të shkuar në fund të bregdetit për të korrigjuar dëmet që bënë krerët e bashkive, sepse janë dëme të kryetarëve të bashkive personalisht, kur sot e gjithë ditën ndërtohet pa leje. Policia e Shtetit dhe IKMT janë angazhuar me një program për pastrimin e bregdetit, duke bërë prishje e pastrime dhe sapo kthen kurrizin Policia e Inspektoriati, janë disa kryetarë bashkishë, bashkë me disa policë lokalë që vazhdojnë avazin e tyre. Dhe nëse nuk do të isha ende në pritje që SPAK të bëjë disa punë më të mëdha, dhe të vendos një rend prioritetesh në këtë vend, mbase do të kisha qenë unë që do të bëja denoncimin sot. Por nuk kam se si t’i shtoj SPAK-ut punët në drejtim të kësaj familjeje politike, kur shikoj se balanca, jo në aspektin politik, por në aspektin e së drejtës është ende shumë e shtrënguar”, deklaroi Rama.

Kryeministri, po ashtu ju tërhoqi vëmendjen kryebashkiakëve edhe sa i takon ngritjes së Këshillave Rinorë Vendorë, një kërkesë kjo ligjore e ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, të cilës i janë përgjigjur vetëm 44 bashki kur afati ka kaluar.

“Si ka mundësi që nuk ju intereson krijimi i Këshillave Rinor Vendor, çfarë do të thoni të rinjve dhe të rejave kur të vijnë zgjedhjet, si do ju dilni para”, shtroi kryeministri pyetjen para kryebashkiakëve.