Piktorë nga bota dhurojnë “Saranda Art Days”

Krijues të penelit nga 20 vende të botës, të organizuar nga Qendra “Tirana Art” dhe të mbështetur nga Bashkia Sarandë e Bougonvile Resort & Spa, u frymëzuan, krijuan dhe performuan në Sarandë, nga 9-15 shtator. Eventi i tyre, në formatin e Simpoziumit Ndërkombëtar të pikturës “Saranda Art Days”, nisi me pikturimin live në hapësirën e shetitores së Sarandës, ku mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Sarandës Adrian Gurma.

Pas kësaj ceremonia zyrtare e çeljes së Simpoziumit, që sivjet është në edicionin e dytë, u zhvillua në mjediset e pishinës së Bugonvile Resort. Jona Dividi, drejtore e Qendrës “Tirana Art”, prezantoi 32 piktorët pjesëmarrës në këtë edicion, begraundin artistik të secilit dhe risitë e edicoonit të dytë në Sarandë.

Kryebashkiaku Gurma ka mirëseardhur artistët e penelit, duke theksuar se Saranda është tërheqëse për turizëm, edhe sepse i jep akses artit e artistëve. Ai u rezervoi artistëve një pritje të ngrohtë në zyrën e vet, ku falenderoi për këtë bashkëpunim që po kthehet në traditë dhe bëhet pjesë e ngjarjeve artistike, që shkojnë përtej stinës së verës.

Koha midis seancave të punës krijuese për Koloninë e piktorëve është alternuar me vizita në sinagogën ebraike, në qytetin antik të Butrintit e në Ksamil, duke shijuar peizazhin piktoresk buzë liqenit të Butrintit dhe një lundrim me anije turistike në Gjirin e Sarandës etj.

Mbrëmja e 14 shtatorit ishte ajo e ekspozimit në shetitore të punëve të përfunduara, të cilat tërhoqën vëmendjen e qytetarëve dhe pushuesve vendas e të huaj, që ende janë të pranishëm në Sarandë. Artisti nga Kosova realizoi live në sytë e publikut një peformancë në telajo prej kanavace të përmasave të mëdha. Ceremonia e mbylljes së Simpoziumit 2 Ndërkombëtar të Pikturës “Saranda Art Days”, u zhvillua në gjirin e Bugonvile Resort.

Artistëve iu dha çertifikatë pjesëmarrjeje nga Qendra “Tirana Art” e Bashkia, ndërkohë që Kryetari Gurma mirënjohjen për secilin prej tyre dhe për Qendrën “Tirana Art”, e shprehu me medaljen e personalizuar, nënshkruar prej tij, me tekstin “Mirënjohje që me penelin tuaj i shtuat ngjyra Sarandës së bukur”. Këngëtarë e instrumentistë dhe grupe polifonike e valltarësh, me interpretimin e tyre live, e bënë mbrëmjen përmbyllëse edhe më interesante e tërheqëse për piktorët e huaj.

Ata u shprehën në gjuhët respektive se ishin mrekulluar nga pritja, nga atmosfera miqësore që i shoqëroi në çdo ditë e në çdo hap në Sarandë e Ksamil dhe thanë se largohen me mbresa e përjetime që do t’i kujtojnë gjatë.