DETAJET/ Dy policët nga Saranda dhe Vlora lëviznin me makinë me xhama të zinj, dyshohet se autorët u trembën për atentat, qëlluan menjëherë ndaj tyre

Detaje të reja janë bërë me dije nga ngjarja e ndodhur mbrëmë në Vlorë, ku u qëllua me armë ndaj dy policëve Anxhelo Breshani dhe Nako Mehmetaj.

Policia ka shoqëruar deri më tani 8 persona, që mund të kenë dijeni në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi Vlorën. Abc News raporton se makina me të cilën lëviznin dy efektivët e policisë ka qenë me xhama të zinj, teksa mësohet se po shkonin në banesat e tyre përkatëse.

Ndërkohë në një rrugicë janë përballur me një makinë, të cilën e kanë parakaluar. Këtu ka nisur gjithçka, ndërsa autorët dyshohet se kanë menduar se bëhet fjalë për ndonjë automjet të dyshimtë dhe kanë qëlluar ndaj tyre.

Policia po punon për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarje, ndërsa fatmirësisht plumbat nuk kanë kapur asnjërin prej policëve. Automjeti i autorëve rezulton të jetë me targat të rregullta dhe policia mendohet se është shumë afër identifikimit të tyre.

Dyshohet se autorët nuk e kanë ditur që kanë të bëjnë me efektivë të policisë kur kanë qëlluar me armë.