Tre muaj moratorium për kreditë e bizneseve dhe familjet

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi të Enjten në një intervistë për ABC Neës se të gjithë qytetarët dhe bizneset që kanë kredi do të mund të përfitojnë shtyrje deri në tre muaj të kësteve të tyre të zakonshme në rast se u lind nevoja si pasojë e vështirësive ekonomike të krijuara nga koronavirusi.

“[Kjo masë] afekton të gjithë individët dhe biznset në shlyerjen e kësteve të kredisë,” deklaroi Sejko. “Kemi marrë një moratorium, një pezullim tremujor të pagesave të kësteve të kredisë, që do të thotë që këto këste kredie nuk fallen por shtyhen për një periudhë tremujore, pra ata klientë të cilët kanë vështirësi në bizneset e tyre, janë të prekur ndoshta nga sëmundja ose kanë probleme të tjera, nuk do të jenë të detyruar, pra janë të lehtësuar nga pagesa, janë të përjashtuar nga pagesa e interesvonesës,” shtoi Sejko.

Aktualisht jeta ekonomike e vendit është ndalur për shkak masave të ndërmarra për ndalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, një lloj virusi infektiv që ka prekur deri më sot 23 shqiptarë dhe ka shkaktuar vdekjen e një 73 vjeçareje, por që mund të shkaktojë infektimin e pjesës më të madhe të popullsisë duke rrezikuar jetën e mijëra vetëve.

Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri kanë deklaruar se do të vijojnë të furnizojnë me para bankomatet dhe të mbajnë një shërbim të kufizuar në sportele duke respektuar kriteret e distancave kundër koronavirusit por pjesa më e madhe e aktivitetit ekonomik, përfshirë fabrikat, baret e restorantet janë mbyllur për një afat fillestar dyjavor.

Sot (E Enjte), qeveria urdhëroi mbylljen e fabrikave të veshjeve dhe këpucëve që punojnë me material porositës kryesisht për tregun Italian si dhe qendrat e marketingut përmes telefonit apo internetit, të njohura si call centers. Këto janë sektorët që punësojnë një numër shumë të lartë shqiptarësh dhe që pritet të paralizohen në aktivitetin e tyre si për shkak të mbylljes në Shqipëri, ashtu edhe për shkak të paralizimit të përgjithshëm ekonomik të tregjeve botërore.

Si një masë ekstreme, qeveria urdhëroi ndalimin e qarkullimit me automjete private për tre ditë me radhë, nga e Premtja në të Dielë.

Veçmas lajmit për moratoriumin e kredive, Guvernatori Sejko deklaroi se sistemi bankar shqiptar është likuid dhe me shkallë të konsiderueshme kapitali dhe pritet të përballet pa probleme me krizën e shkaktuar nga koronavirusi.

Në Itali, planet për një moratorium të ngjashëm për kreditë u shpallën të Mërkurën (dje) nga zëvendësministrja e ekonomisë Laura Castelli.