Deputetja e Sarandës, Zhupa: Kreu i bordit të administrimit mendon se Butrinti është grek

Kuvendi rrëzoi kërkesën e deputetes së PD-së, Ina Zhupa për të bërë një interpelancë me ministren e Kulturës lidhur me administrimin e Parkut të Butrintit.

Në fjalën e saj, Zhupa tha se në krye të Bordit që do të administrojë parkun është arkeologu Richard Hodges, i cili mendon se Butrinti është grek dhe jo shqiptar.

“Së fundmi kanë dalë video të Richard Hodges teksa flet për Butrintin në Universitetin e Romës teksa shprehet dhe flet për Butrintin, Shqipërinë dhe  shqiptarët. Ai thotë që Shqipëria është një vend artificial, e krijuar si artificialisht me një vendim politik dhe në 1913 në Butrint nuk kishte asnjë shqiptar, atje ishin grekë dhe Butrinti është grek. Sipas tij këto territore duhet të jenë nën Greqinë. Unë dhe ju nuk e ndajmë këtë opinion. As historian dhe arkeologë nuk e ndajnë këtë opinion. Hodges thotë që Enver Hoxha ka shpikur një histori për një popull të lashtë që nuk ekzistonte”, tha Zhupa.

Zhupa shton se  “po për arkeologët tanë, a e dini si shprehet? Për ata thotë “vinin në mëngjes, pinin raki, dhe vinin pasdite dhe shikonin çfarë kishin bërë punëtorët”. Sharlatanizmi i takon atij dhe ne nuk e gjykojmë. A duhet që një njeri i tillë të jetë në krye të bordit të menaxhimit të fondacionit të Butrintit? A rrezikojnë shqiptarët që nesër t’u tjetërsohen gjetjet e Butrintit? A rrezikojmë ne që përkrah flamurit shqiptar në Butrint të vihet edhe flamuri grek? Pse u zgjodh Hodges në këtë funksion, apo vetëm se ka qenë këshilltar i Ramës si ministër i Kulturës?”.