Arsimi në Shqipëri dhe Nënprefekturën e Konispolit në vitet 1920-1944

Me rastin e 100 vjetorit të hapjes së shkollës kombëtare shqipe në fshatin tim të  lindjes, Markat, po paraqes rrugën e ndjekur prej saj nga viti 1922, duke u bazuar në shtypin e kohës dhe dokumentat që ndodhen në arkivin e shtetit, fondi për arsimin

Prof.Asoc.Dr.Bedri Kola

Vendimet e Konferencës së Paqes së Parisit, në kuadër të diskutimit të çështjes së Adriatikut dhe kompromisi midis Italisë, Francës dhe Anglisë, pa praninë e Amerikës më 13 janar 1920[1], pazarllëqet që po bëheshin nga fuqitë imperialiste në kurriz të vendit tonë, e elektrizuan mjaft situatën politike në Shqipëri. U organizuan komitete të mbrojtjes kombëtare, u zhvilluan mitingje antiimperialiste, pati edhe përleshje me pushtuesit italianë. Në një situatë të tillë, forcat më progresiste e atdhetare të vendit mbajtën më 28-31 janar 1920 një kongres kombëtar në Lushnjë, ku u morën vendime të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë [2]. Në Kongres morën pjesë 50 delegatë. Mes tyre kishte intelektualë dhe patriotë shqiptarë, të cilët luajtën një rol aktiv në përgatitjen, organizimin dhe drejtimin e  Kongresit.

“Shumë nene të statutit,(miratuar në kongres), sidomos ato kryesoret mbi të drejtat e njeriut dhe të drejtat e popullit…mund të thuhet që u vunë  atëhere me propozimin ose me përkrahjen e tyre” [3] .

Për rrethanat e njohura tashmë, qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u vendos në Tiranë. Posti i ministrit të Arsimit iu besua Sotir Pecit.

Ende pa u organizuar mirë organet qendrore  Peci iu vu punës për të ngritur në çdo qendër prefekture organet arsimore. U organizuan drejtoritë arsimore në Korçë, Gjirokastër e Shkodër dhe u krijuan inspektori në 5 qendra të prefekturave e nënprefekturave.  Duke qenë se viti  shkollor ishte në mbarim  e sipër dhe se çdo ndryshim  do të dëmtonte punën e filluar, Peci deklaroi në Kuvendin Kombëtar  se hë për hë nuk do të bëheshin ndryshime. Ndaj viti shkollor mbaroi sipas mundësive e kushteve të çdo krahine [4].

Për vitin e ardhshëm shkollor para dikasterit të arsimit qëndronin detyra të shumta, siç ishte shtrirja e rrjetit shkollor në të gjithë vendin, frenimi i shkollave të huaja, unifikimi i sistemit arsimor. I duhej dhënë fund  kaosit pedagogjik që sundonte në vend.

Për të shëndoshur gjendjen, në një raport për Këshillin e Ministrave Peci, shkruante: “Tue pamë nevojën që me njësuem programat, methodën për të gjitha shkollat e Shqypniës, qi deri më sod kanë vepruem damas në dam  të përparimit, kemi menduem për me bamë nji komision teknik, në të cilin do të marrin pjesë  fuqit ma të mira arsimore  prej gjithë viseve, ky komision 12 vetësh ka me u mbledhë në Lushnje, si vend historik për kohë  të sotme”[5].

Mbledhja e propozuar nga Peci i  filloi punimet më 15 gusht dhe përfundoi më 28 gusht 1920, për shkak të klimës malarike në 3 ditët e fundit punimet vazhduan në Elbasan. Problemet e rëndësishme, që u ngritën në këtë tubim i dhanë mbledhjes së Lushnjes përmasat e një kongresi arsimor.  Pas shumë diskutimesh, në kongres u morën disa vendime: U miratua që shkollat fillore në qytete të ishin me 5 klasë, ndërsa në fshat me tri. Mbi shkollën fillore u caktua shkolla qytetëse me tri vjet. Viti mësimor ndahej në katër bimestra, duke filluar më 10 shtator  e duke u mbyllur në 30 qershor. Në shkollat qytetëse  viti ndahej në dy semestra. Arsimi fillor do të ishte pa pagesë dhe i detyruar për të gjithë fëmijët. Kongresi miratoi programin sintetik për shkollat fillore qytetëse  dhe programin analitik të përjavshëm. Për aftësimin e mësuesve u vendos që të ngrihej një kurs pranë Normales së Elbasanit. Nëpër fshatra do të përdorej edhe sistemi i mësuesve shëtitës. Për shkollat e zonave të thella u kërkua çelja e disa konvikteve në Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, etj. Shkollat jo shtetërore e të huaja u lejuan të funksiononin, me kusht që të zbatonin programin shkollor shtetëror dhe të kontrolloheshin nga Ministria e Arsimit. U vendos që tekstet që do të përdoreshin në shkolla  duhej të ishin të miratuar nga një komision teknik, i cili do të funksiononte pranë Ministrisë së Arsimit [6] .

Kjo është arsyeja që arsimi kombëtar koincidon me një ngjarje të madhe, Kongresin e Lushnjës. Ky ishte një kongres kombëtar që nxori një qeveri kombëtare me një program kombëtar ku si çështje themelore shtrohej bashkimi “i të gjitha visevet të Shqipnisë nën Flamurin e Kombit”[7]

Organet arsimore edhe në këtë rast u gjendën përpara shumë vështirësive. Ato përcaktuan si themelore disa detyra:

“Njisimi i programeve,teksteve dhe i organizimit arsimuër përgjithësisht.”[8]

Pra, ky program synonte të hidhte bazat e një arsimi kombëtar duke zhdukur të gjitha ato pengesa që ishin trashëguar nga e kaluara.

Për këtë qëllim u vendos të thirrej një kuvend ku të diskutoheshin të gjitha problemet në fushën e arsimit. Kuvendi u mblodh në Lushnjë në vitin 1920.

Kuvendi i parë arsimor i Lushnjës zgjidhi problemin kryesor atë të njësimit të arsimit kombëtar duke kapërcyer të gjitha ndarjet krahinore.

“Qysh prej asaj mbledhjeje e mbrapa arsimi kombëtar zue të hedhë dit për ditë, hapa vendimtarë kah përparimi dhe konsolidimi i tij tue arri, ma në fund në gjendjen e lumnueshme të ditëve tona.”[9]

Mbas hapjes, sistemimit dhe shtimit të shkollave fillore u çelën shkollat e mesme.

Në historinë e shkollës shqiptare një vend me rëndësi zënë vitet 1920-1924. Gjatë kësaj periudhe përpjekjet për reformimin e shkollës morën përmasa të gjera në shkallë kombëtare  si dhe u bë një problem qendror i lëvizjes demokratike ku secili rreth ka meritën e vet.

Fillimi i viteve 20-të të shekullit kaluar e gjeti nënprefekturën e Konispolit së bashku me fshatrat në një prapambetje të gjithanshme. Nënprefektura e Camërisë  kishte gjithsej 7329 banorë.[10]

Ndërsa Markati kishte 458 banore,Ninati kishte 285 banorë.[11]

Arritjet në fushën e arsimit ishin të kufizuara dhe të paqëndrueshme.

Ndërkaq qeveria në vitin 1921 kishte mbyllur shkollat turke, gjithsej 6 të tilla.[12] Një vit më vonë u mbyllën dhe shkollat private përfshirë këtu dhe shkollën shqipe-amerikane, me përjashtim të shkollave të minoritetit.

Kjo ishte gjendja në fushën e arsimit deri në Kongresin II arsimor, i cili u mbajt në korrik të vitit 1922 në Tiranë. Thirrja e këtij kongresi në Tiranë u bë jo vetëm se Tirana ishte kryeqytet por edhe nga trualli i përgatitur, roli gjithnjë në rritje i arsimtarëve tiranas, që u bënë mbështetje e fortë e tij.

Këto arritje krijuan premisa pozitive për të ndërmarrë hapa të reja për forcimin e lidhjeve dhe sensibilizimin e popullit. Ndërmjet detyrave që shtroi kongresi u veçua më kryesorja, hapja e shkollave të reja,[13] kjo kërkesë ishte mjaftë e mprehtë sidomos për fshatin.

Në vitin arsimor 1920-1921 nuk kemi te dhena në arkiv për shkollën shqipe, ndërsa për vitn 1922 gjejmë një kërkesë nga kryepleqësia e Markatit e përbërë nga Isuf Ago,Xhelo Beqo,Nazif Shero dhe Mehmet Jaho drejtuar Ministrit të Arsimit:”Që nga viti 1920 që shteti shqiptar ka marrë provincën e Gjirokastres nga Italianët i kërkojmë shkollë për kalamajtë tanë…”[14]

Dy nga nevojat më emergjente në fushën e arsimit në këtë periudhë ishin lokalet ku zhvillohej mësimi dhe kuadri arsimor. Shkollat e zhvillonin mësimin në ndërtesa të papërshtatshme, sidomos në fshat. Shkolla në fshat ishte një “dhomë” e vetmuar që në shumicën e rasteve mund të ishte një kolibe ose një aneks xhamie,si në Markat. Gjatë viteve 1920-1924 qeveritë që alternuan njëra tjetrën, në gjithë krahinën tonë nuk ndërtuan asnjë shkollë.

Të shqetësuar nga kjo situatë e rëndë, në shtator të vitit 1923, inspektoria e arsimit, i theksonte nënprefekturës se personeli i mësuesve do të “mbetet pa punë dhe në dëshpërim.”[15]

Me gjithë këtë situatë të rënduar, përpjekjet për hapjen e shkollave të reja nuk reshtën. Si lokal për shkollë pranohej qoftë dhe një dhomë e vetme, që nuk merrte më shumë se 18 nxënës..

Ndërsa në qytet nuk reshtën përpjekjet për hapjen e shkollave fillore në fshat gjatë kësaj periudhe nuk u hap asnjë shkollë e re. Përhapja e arsimit në fshat nuk gjeti mbështetje qeveritare, ajo konsiderohej si detyrë e mësuesve, veprimtarëve patriotë dhe prindërve arsimdashës.

Në vitin 1922, pleqësitë e fshatrave Markat, Ninat shfaqën haptazi pakënaqësinë për injorimin që i bëhej arsimit në fshat dhe kërkuan hapjen e shkollave të reja. Këto kërkesa u kundërshtuan nga Ministria e Arsimit. Ndërkohë përpjekjet e popullit për hapjen e shkollave vazhduan. Populli i Markatit zotohej të ngrinte një shkollë me forcat e veta , ndërsa ai i Ninatit ishte gati të paguante për blerjen e pajisjeve shkollore .[16]

Në 29.12.1922 nga një raport i inspektorit të arsimit,” mbi shkollat e qarkut të Konispolit, bëra fjalë për katunde në këtë qark me rëndësi për shkolla e që janë: Shalësi dhe Markati, me popullsi muhamedane dhe Sopiku me popullsi kristiane shqiptare”[17]

Nga ky raport mësojmë se shkolla e Markatit këtë vit mbush 100 vjet, mësuesi i parë i saj nga dokumentat arkivore është z. Remzi Xhaferi, por këtë e gjejmë nga një raport i inspektorit të arsimit në vitin 1924, sepse nuk ka të dhëna për vitin mësimor 1922-1923.

Këto përpjekje nuk gjetën mbështetje nga qeveria e asaj kohe. Kështu titullari i dikasterit, në fund të Janarit 1923, z. R.Mitrovica, urdhëronte inspektoritë të mos pranonin “asnjë propozim për emërime dhe çelje shkollash.”[18]

Ndërkaq ai kërkonte që të mbylleshin disa shkolla, kjo për arsye financiare. Të parët që u sakrifikuan për hir të “paaftësisë” dhe balancimit të buxhetit ishin arsimtarët e fshatit. Kjo masë shkaktoi jo vetëm zemërimin e arsimtarëve por dhe të nxënësve dhe popullit arsimdashës.

Krahas protestave lindën dhe iniciativa që këto shkolla të mbaheshin hapur “fundja dhe me të hollat e çdo katundi, tue i siguruem mësuesit ushqimin dhe një pagim të vogël.”[19] Siç shihet, në ato rrethana, ruajtja dhe konsolidimi i shkollave ekzistuese ishte një sukses për popullin arsimdashës të zonës së Konispolit.

Në vitin 1924 në Markat tregohej interes i madh per ndërtimin e shkollës.Në këtë vit mësimor në shkollë ishin rregjistruar 39 nxënës.Mësuesi Remzi Xhaferi “është njeri që tregon zell për mësimin e fëmijëve.”[20]

Për nivelet e tjera të arsimit, arsimin e mesëm,qeveritë e kësaj periudhe nuk bënë asgjë në Sarandë,Delvinë dhe Konispol.

Në vitin 1924 në Qarkun e Gjirokastrës kishte 35 shkolla kombëtare ku jepnin mësim 48 mësues dhe 88 shkolla në fshatrat e minoritetit me 51 mësues, prej të cilëve 27 mësues paguheshin nga shteti.[21]

Një problem i mprehtë gjatë kësaj periudhe ishte ai i luftës kundër analfabetizmit. Në nismën kundër analfabetizmit, krahas mësuesve vepruan edhe intelektualët, nxënësit e shkollave dhe shoqëritë kulturore.

Në një raport mbi gjëndjen në Qarkun e Gjirokastres theksohet:”Prej popullit janë injorantë 44102 banore dhe të mësuarë 14561 banorë. Prej të mësuarve kanë mbaruar universitetet 144, gjimnazin 165 e fillore 15979.Në këtë juridikson ka 133 shkolla qeveritare dhe private….Propocioni i shkallës së arsimit pas popullsisë:a)Injorantë 75%; b) të mësuar 25).”[22]  Edhe më e rëndë ishte gjëndja në krahinën e Camërisë, nga 10637 banorë vetëm 2% dinin shqip, 2% Turqisht dhe 1% greqisht.

Problem parësor, krahas sigurimit të objekteve shkollore ishte mungesa e kuadrit mësimor. Pikërisht për ti dhënë një shtytje zbatimit të programit të qeverisë demokratike të F.Nolit, i cili synonte reformimin dhe organizimin e arsimit mbi baza moderne perëndimore, që “nga shkollat të dilnin qytetarë të mirë, patriotë dhe punëtorë.[23]

Në gusht të vitit 1924, me iniciativën e arsimtarëve tiranas dhe elbasanas, u thirr në kryeqytet, Kongresi III Arsimor, që krahas vendimeve të tjera vendosi për hapjen e një shkolle normale femërore në Tiranë.

Synimet mbetën synime. Realizimi i tyre në përputhje me interesat kombëtare sjellin përparim dhe mirëqenie.

Zhvillimi i arsimit në Konispol dhe rrethinë në vitet 1925-1939, vite që përkojnë me konsolidimin e shtetit shqiptar, të njohura në histori si periudha e “Regjimit të Zogut”, lidhet me ndryshime cilësore.

Nga viti mësimor 7.01.1925 në Markat fillon punë Tahir Mehmeti në vend të Remzi Xhaferit me dy klasë qytetëse turqisht dhe pa dokument.

Në vitin shkollor 1925 njoftimi për të filluar mësimet bëhej me tellall. Shkollat fillore këtë vit filluan më 16 shtator.

[1] V.Duka, Historia e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë 2007, f.109

[2] V.Duka, Historia e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë 2007, f.111

[3] Gazeta, “Gazeta e Korçës”, 12 prill 1932

[4] AQSH, F. 295, D. 9,f.8, viti 1920

[5] AQSH, F. 295, D.9, f.1, viti 1920

[6] I. Kanini “Arsimi në Shqipëri në vitet e Luftës së Parë Botërore”,Tiranë 2001, faqe 25

[7] A.Q.SH.F.295,D.22,f.6-8,viti 1916

[8] A.Q.SH.F.295,D.22,f.9,viti 1916

[9] Gazeta “Drita”, 01.09.1938

[10] A.Q.SH.F.252,D.802,f.125, viti 1921

[11] T.Selenica Regjistrim I pop.viti 1923

[12] A.Q.SH.F.258,D.22,f.109,viti 1922

[13] Po aty

[14] A.Q.SH. F.295.D.1,f.51-59 viti 1922

[15] Po aty.

[16] A.Q.SH.F.295,D.2,f.285,viti1922

[17] A.Q.SH.F.295,D.16,f.183,viti 1923

[18] A.Q.SH.F.691,D.29,f.7,viti 1923

[19] A.Q.SH.F.691,D38,f.41,viti 1923

[20] A.Q.SH.F.295,D.70,f.12-13 v 1924

[21] M.Kaso Arsimi në Sarandë Delvinë e Konispol Tiranë, 2003 f.46

[22] A.Q.SH.F.295 D.7 f.38-46 v.1925

[23] Gazeta “Reforma”, 05.10.1924