Mbytja e turistes angleze, Gjykata liron përgjegjësin e ekspeditës! Akuzohet se punësoi në mënyrë të paligjshme 29 vjecaren

Gjykata ka liruar nga burgu Saimir Kushova, i cili u akuzua se punësoi në mënyrë të paligjshme në grupin e tij të ekspeditës, 29-vjeçaren angleze që u mbyt në ujërat e Sarandës.

Prokurorja Alba Dhima kërkoi masën e sigurisë “Arrest me burg” me afat 30 ditë. Por pas kërkesës së avokatit për garanci pasurore është tërhequr duke pranuar masën “garanci pasurore 1.5 milionë lekë të reja”.

E njëjta masë u la në fuqi edhe nga gjyqtari Fatmir Ndreu, duke lënë të lirë Saimir Kushovën, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”, të cilat sipas hetimeve paraprake sollën dhe humbjen e jetës për turisten e huaj.

Nga verifikimet ka rezultuar se 45-vjeçari e kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes, në grupin e tij të punës, si dhe nuk ka siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje.