Situata e zjarreve, Rama kritika bashkive

Kryeministri Edi Rama në takimin me kryebashkiakët e vendit vlerësoi punën e bashkisë së Fierit e Beratit për reagimin ndaj situatës me zjarret, ndërsa nuk i kurseu kritikat ndaj bashkisë së Durrësit.

“E lavdërova me të drejtë Durrësin për pastrimin, por nuk mund të them të njëjtën gjë për reagimin ndaj zjarrit.. Për sa i përket reagimit në rastin e zjarrit, atëherë nuk kemi ç’a i themi Beratit apo Fierit dhe në të dy që jemi durrsakë, të na i kalojë Berati dhe Fieri është pak e rëndë. Për ty është më e rëndë në fakt, se unë i kam ca rrënjë në Berat dhe mbahem, por për ty që je 100% nga moma dhe nga baba durrsake, është problem. Kështu që, duhet të organizoheni. Ishalla s’ka tjetër sepse në Durrës ishte risi kjo, po faktikisht këtu s’ka më, që nga Valbona deri në Konispol, që nga Durrësi e deri në Korçë e Maliq, kjo histori është kudo dhe duhet të jemi gati.”

Teksa mori si shembull vendet e tjera të Europës që po përballen me zjarre të shumta, Rama u ndal edhe tek akuzat akuzat e opozitës.

“Besoj që jemi të qartë për faktin që parandalimi një dhe reagimi i parë dy, janë drejtpërdrejt përgjegjësi të pushtetit vendor. Do të jemi shumë më të përgatitur në kohë dhe me 300 e kusur vatra zjarri dhe 300 helikopterë të kesh, edhe prapë është problem se diku do dy dhe diku do tre dhe prandaj edhe superfuqitë nuk e bazojnë luftën me fatkeqësitë natyrore dhe me zjarret te numri i helikopterëve që kanë dhe prandaj dhe Bashkimi Europian ka ndërtuar një mekanizëm dhe Bashkimi Europian e ka bërë për vete, nuk e ka bërë për ne.”

E ndërsa nuk i cilësoi emrat e kryetarëve të bashkive, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se shumë prej tyre fikin telefonin dhe ikin me pushime në një situatë emergjente.

“Ka dhe bashki që fikin telefonin e thonë nuk është zjarri im dhe nuk përgjigjen. Nuk është detyra jonë e ju na mbështesni, se shpesh kështu kuptohet që nga toni me të cilin flet kryetari i bashkisë që merr në telefon për helikopterin pa lëvizur as gishtin vet e në ndonjë rast dhe nga plazhi thonë zoti ministër ku është helikopteri. Mirë është që pushimet të mos i bëjmë në Gusht, për mendimin tim.”

Për përballimin e emergjencave në buxhet është alokuar 1 miliardë lekë për mbrojtjen civile.