Sheshi “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër, hapësirë këmbësore me parking nëntokësor

Sheshi “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër po rikonceptohet plotësisht në harmoni me Pazarin historik, duke i dhënë zgjidhje parkimit në zonën muzeale të qytetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kantier ndërtimi, i cili do e  kthejë qendrën e qytetit muze në një zonë pa makina.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga kantieri i veprës madhore për transformimin e sheshit të Çerçizit, në një hapësirë këmbësore me një parkim publik nëntokësor prej 300 vendesh, që e kthen zemrën e qytetit muze në një zonë pa makina, e cila së bashku me bajpasin do të mundësojnë zero ndotje në rrugët ekskluzivisht pedonale të qendrës së Gjirokastrës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Projekti i parkimit nëntokësor vjen në vazhdim të projekteve për rivitalizimin e qytetit të Gjirokastrës. Ky parkim do të sjellë lehtësimin e qarkullimit si dhe orientimin e mjeteve që sjellin turistë në zonën e vjetër të qytetit.

Po ashtu është menduar rivitalizimi i sheshit te “Shtëpia e Pionierit” apo dhe sheshi para bashkisë.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është krijimi i një oazi qetësie dhe argëtimi për qytetarët si dhe rivitalizimi i një pjese shumë të rëndësishme të zonës së vjetër duke e bëre Qafën e Pazarit të lidhet natyrshëm dhe këndshëm me pjesën tjetër të qytetit.