Rama reagon për tragjedinë e Himarës: Fajtori të marrë ndëshkimin ekstrem, e tmerrshme kafshëria politiko-mediatike

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Himarë këtë të martë, ku një 7-vjeçare u përplas për vdekje nga një mjet lundrues teksa po lahej në bregun e detit.

Përmes një postimi në Twitter, Rama shkruan se nuk ka fjalë ngushëlluese për dhimbjen e familjes së viktimës.

Shefi i ekzekutivit shton se uron që fajtori të marrë ndëshkimin ekstrem dhe thekson se Policia e Shtetit të nxjerrë mësimet e duhura dhe t’u jap mësimin e duhur trupave përgjegjëse.

Tragjedia e familjes së të miturës në Himarë është rrëqethëse dhe s’ka fjalë ngushëlluese për dhimbjen.

Uroj që fajtori të marrë ndëshkimin më ekstrem nga drejtësia dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit të nxjerrin mësimet e duhura e t’u japin mësimin e duhur trupave përgjegjëse!”, shkruan Rama në Twitter.

Rama komentoi edhe reagimet politike dhe mediatike për ngjarjen e rëndë.

“Nuk mungoi as në këtë rast kafshëria politiko-mediatike e atyre që urojnë e presin veç fatkeqësi, për të ushqyer zjarrin e luftës së tyre politike të paudhë dhe të pashpresë”, shkruan ai.