Gledis Nano reagon për ngjarjen e rëndë në Himarë, përjashton nga Policia e Shtetit drejtuesin e gomones Arjan Tase

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e sotme në Himarë, ku një skaf që drejtohej nga një oficer policie la të vrarë një fëmijë 7 vjeç.

Gledis Nano vendosi që të përjashtojë nga radhët e policisë drejtuesin e skafit Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë ElbasanTase u arrestua me urdhër të drejtorit të Prokurorisë në Vlorë, Aurel Zarka.

Oficeri i Policisë ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 7-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje.

Gjithashtu, Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Shpëtim Hasanaliaj.

Njëkohësisht, Nano ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.