Pronari i hotelit tentoi të fshihte vrasjen në Sarandë, policia i vë prangat

Ka shkuar në 3 numri i të arrestuarve për krimin e rëndë që tronditi mbrëmjen e djeshme Sarandë. Klodian Bakiu 41-vjeç u qëllua disa herë me thikë dhe për pasojë humbi jetën në vend.

Policia njofton se në pranga kanë rënë dy vëllezërit Xhanelo Tarja e Xhoi Tarja të cilët ishin të punësuar tek një hotel në zonën ku ndodhi krimi. Po ashtu në pranga ka rënë edhe Genci Ahmeti, i cili sipas policisë nuk ka treguar se çfarë ka ndodhur duke tentuar që të fshehë ngjarjen kriminale.

Sherri mësohet se ka ndodhur për një vend parkimi mes viktimës dhe njërit prej vëllezërve Tarja të cilët ishin punësuar përkohësisht në Sarandë. Pasi sherri ka përfunduar në përleshje dy vëllezërit kanë qëlluar me thikë 41-vjeçarin Klodian Bakiu, i cili si pasojë  e humbjes së madhe të gjakut ka ndërruar jetë.

Njoftimi i policisë: 

Sarandë – Goditën me thikë 41-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në spital, si pasojë e dëmtimeve të marra, Policia vë në pranga 2 autorët e dyshuar.

Në pranga dhe punëdhënësi i 2 autorëve të dyshuar, pasi tentoi të fshihte ngjarjen.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, me marrjen e njoftimit për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr.1, Sarandë, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i reagimit në kohë dhe i veprimeve të shpejta hetimore në vendngjarje, u bë e mundur identifikimi i autorëve të dyshuar.

Falë ndjekjes së pandërprerë të autorëve të dyshuar, pas disa orësh kërkimesh, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan 2 autorët e dyshuar, shtetasit:

-Xhanelo Tarja, 24 vjeç dhe Xh. Tarja., 18 vjeç (vëllezër), të dy banues Laç dhe të punësuar përkohësisht në Sarandë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Lefter Kalo”, në lagjen nr.1, Sarandë, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, për një vend parkimi në afërsi të hotelit, ku ishin të punësuar vëllezërit, kanë goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin Klodian Bakiaj., 41 vjeç, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ndërroi jetë në spitalin e Sarandës.

Gjithashtu, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Genci Iljaz Ahmeti, 41 vjeç, administrator i hotelit ku ishin të punësuar 2 autorët e dyshuar, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi nuk ka pranuar të tregojë rrethanat e kësaj ngjarjeje për krimin e kryer nga punëtorët e tij, si dhe ka kryer veprime për fshehjen e provave në lidhje me këtë ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.