Prof. Dr. Hasan Nallbani, me ekspozitë vetiake në Sarandë

Mysafiri i radhës në Galerinë “Art-Saranda”, është piktori i mirënjohur Prof. Dr. Hasan Nallbani, me 22 punët e përzgjedhura të krijimtarisë së tij në disa periudha.

Në Sarandë ai vjen me portrete të spikatura, me kompozime dhe në çdo zhanër ai sjell tema jetësore në piktura të formatit të konsiderueshëm. Ato janë pëlqyer nga vizitorët, të cilët janë nga radhët e krijuesve dhe turistë të huaj e vendas të këtij sezoni.

Emri i Hasan Nallbanit është mjaft i njohur përmes ekspozitave kombëtare e ndërkombëtare.

Atë e kanë bërë të njohur edhe kontributet si restaurator i afreskeve dhe si autoritet shkencor në historinë e artit shqiptar.

Mban titullin Mjeshtër i Madh. Ekspozita e Hasan Nallbanit renditet krahas emrave të mëdhenj, si: Abdurrahim Buza, Kolë Idromeno, Nestor Jonuzi etj., që janë prezantuar në Galerinë e Sarandës.

Ekspozita e Nallbanit do të jetë në dispozicion të publikut deri në dhjetëditëshin e parë të shtatorit.