Rama: Shëtitorja e Borshit do bëhet

Qeveria shqiptare po vijon të investojë në zonën e Vlorës, projekte të rëndësishme strategjike infrastrukturore, me ndikim në zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit.

Ndër projektet në infrastrukturën rrugore, bën pjesë edhe shëtitorja e Borshit.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot nga Pogradeci, në takimin me kryebashkiakët vendor se shëtitorja e Borshit do të bëhet para Shëngjinit.

“Shëtitorja e Borshit po bëhet. Do ketë diçka tjetër para shëtitores së Shëngjinit, do jetë Borshi dhe më pas shëtitorja e Shëngjinit meqë në Shëngjin po bëjmë rrugën Shëngjin-Velipojë”, tha Rama.

Borshi është një nga zonat turistike më të bukura të Rivierës Shqiptare. Në Borsh ndërthuret një mrekulli e bukurive natyrore, plazhi, historia dhe legjenda. Borshi është vetëm 17 km larg Himarës dhe ka vijën bregdetare më të gjatë të Jonit.