Rama publikon foton: Pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka marrë formën e saj

Në Akërni të Vlorës po vijojnë punimet prej disa muajsh për ndërtimin e Aeroportit të ri Ndërkombëtar të Vlorës.

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka publikuar një foto nga pista e ndërtuar e cila tashmë ka marrë formën e saj.

‘Pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka marrë formën e saj’- shkruan Rama.

Aeroporti i Vlorës, një investim mbi 100 milionë Euro, premtim i kryeministrit Rama për mandatin e tretë, pritet që të hapë 1 mijë vende pune të reja, do të ulë çmimet e biletave dhe do ta kthejë Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit.

Më 20 prill 2021 u nënshkrua kontrata me kompaninë fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, që pritet të ndërtohet brenda 4 viteve të ardhshme dhe do të jetë i tretë aeroport në vend ku fluturimet do të jenë transoqeanike. Fitues për ndërtimin e tij u shpall konsorcium kompanish të themeluara në Zvicër, ku pjesa më e madhe e aksioneve 50% zotërohet nga Mabetex, kompania e biznesmenit Behgjet Pacolli, dhe 48% nga YDA Group firma që po ndërtoi Spitalin e Fierit me bazë në Ankara dhe 2% nga 2A group.

Konsorciumi fitues ofroi një vlerë investimi prej 103.9 milionë Eurosh dhe do të ketë operimin për 35 vjet të pistës së aeroportit.  Aeroporti i Vlorës do të jetë edhe baza për flotën e avionëve Air Albania, ndërsa për herë të parë aty do të ketë një zonë të veçantë për mirëmbajtjen e avionëve, një shërbim i ri i kërkuar nga kompani të huaja, i cili do të përkthehet në të ardhura dhe vende pune shtesë për zonën.