Rama mbledh kryebashkiakët, i ‘tërheq vëmendjen’ Vlorës: Ka kryetar që fle gjumë

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur kryetarët e bashkive në Pogradec, ku është duke bërë bilancet e qeverisjes vendore.

Rama ka pasur fjalët më të mira për Lezhën, ndërsa nuk kurseu kritikat për bashkinë e Vlorës.

“Shqipëria është ngritur në një nivel tjetër në marrëdhëniet me botën dhe Europën, por duhet të ngrihet në nivel tjetër edhe në raport me vetveten. Negociatat nuk janë një shëtitje në lëndinë, janë një e përpjetë shumë e thepisur, me sfida të jashtëzakonshme, me kërkesa shumë strike dhe të forta dhe me detyrime që përbëjnë një barrë të madhe për secilin dhe secilën që ka një funksion publik si i zgjedhur apo i besuar në piramidën e administrratës, por edhe për vetë shoqërinë dhe komunitetet, pra qeverisjen vendore. Flasim për bashkitë dhe njësitë administrative, pra për PS se jemi ne që qeverisim në të gjithë territorin.

Qeverisja jonë në gjithë territorin nuk është uniforme në aspektin e cilësisë. Kemi bashki shmbullorre, bashki të mira dhe bashki problematike. Që do të thotë problematike për qytetarët. Kemi gjithë kohën në dispozicion për t’i adresuar problemet dhe për të kapur trenin ku janë më të mirët prej jush.

Në të gjitha fushat e qeverisjes vendore ne kemi shembuj për te qenë krenar. Është krenari që PS drejton Lezhën, pot ë shikojmë nivelin e pastërtisë në plazh dhe kënaqësinë e atyre që pushojnë aty.

Të tillë shembuj qoftë për pastrimin apo të tjera fusha, kemi kudo në gjithë Shqipërinë deri në bashki të vogla që kanë mundësi të kufizuara, por për shkak të punës sistematike janë shembuj pozitiv. Që nga shembulli i Cërrikut që është një bashki me halle të mëdha të trashëguara, me pozicion ekonomik dhe social shumë të vështirë dhe lidershipi i kryetarit të bashkisë ka bërë diferencën. Ndërkohë, kemi Belshin, që është një bashki shembullore.

Ngopja me pushtetin është e atyre që harrojnë se kush i ka çuar atje.

Flas për dy bashki në qarkun e Elbasanit, që nuk kanë pasur ndonjë avantazh dhe janë të disavantazuara për shkak të nivelit të fuqisë të taksapaguesve që e kanë shumë modest. Ndërkohë që kemi bashki si Vlora, që ka pasur një vëmendje të veçantë, me të drejtë, nga qeveria, por që ka një kryetar bashkie që fle gjumë. Vlora, që me gjithë atë potencial dhe mbështetje që ka, nuk duhet ta diskutonte të qenit xixë në mëngjes, drekë dhe darkë. Pa folur për bashki të cilat kanë potenciale të mëdha, siç është Pogradeci”, tha Rama.