Greqia i jep fund lock down-it, vendi rikthehet në normalitet dhe hap zyrtarisht sezonin turistik

Pas një fushate intensive vaksinimi dhe muajsh të gjatë kufizimesh, Greqia i jep fund lock-down. Nga dita e sotme vendi rikthehet në normalitet dhe qytetarët nuk qarkullojnë më me orar të kufizuar dhe dërgimin e sms vetëm në 6 kode të lejuara.

Dyqanet nuk do të funksionojnë më me stilin click inside-click away me takim paraprak apo marrje porosish telefonike, njëjtë siç funksionojnë dyqanet në një sërë vendesh evropiane . Nga e hëna rihapen kopshtet dhe çerdhet, pa teste për fëmijët. Arsimi fillor dhe i mesëm funksionon nga 10 maj, ndërsa rikthehen me të njëjtën procedurë me teste të shpejta studentët për praktikën dhe sezonin e provimeve.

Sistemi publik e privat funksionon sërish me kryerjen e testeve të shpejta 2 herë në javë për gjithë punonjësit.

Nga dita e sotme Greqia çel dhe zyrtarisht sezonin turistik, me dhjetëra fluturime do të priten ditën e nesërme në mjaft ishuj dhe duke nisur nga 15 maji, qeveria do të lejojë çdo turist të vizitojë vendin, nëse ata janë vaksinuar ose mund të sigurojnë një test negativ të koronavirusit.

Autoritetet greke kanë bërë të ditur se brenda 10 ditësh do të jenë vaksinuar gjithë banorët në 19 ishuj të tjerë, destinacione kyçe turistike, të vendit i cili është i varur nga turizmi dhe për të cilin viti 2020 ishte më I rëndi në historinë e vet. Në masat e qeverisë bëhet e ditur se hapen dhe kufijtë tokësorë me vendet e BE, por ende është në pritje vendimi për udhëtarët nga Shqipëria e pikat tokësore kufitare Kapshticë e Kakavijë.

Që nga dita e sotme është njoftuar se kufiri do të jetë i hapur edhe për qytetarët  maqedonas njoftoi kryeministri maqedonas Zoran Zaev.  Siç thuhet në postimin e kryeministrit, për të hyrë në Greqi është e domosdoshme një certifikatë vaksinimi, një test negativ PCR ose një test antitrupash.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri në fund të qershorit në Greqi do jenë vaksinuar 4.5 milionë banorë, thuajse gjysma e popullsisë së vendit e vaksinimi do të vijojnë me ritme të shpejta.