Dy fjalë për ata që shqetësohen nga hapja e rrugës Kardhiq-Delvinë

Për hapjen nesër të rrugës Kardhiq-Delvinë nuk janë të gjithë të lumtur. Ka një pakicë të papërfillshme që e sheh këtë segment si anashkalim të Gjirokastrës. Janë kryesisht biznese të zonës së Dropullit e mbase Gjirokastrës si lokale e restorante që shohin te hapja e kësaj rruge një fluks të munguar klientësh.

Veç tyre është edhe Vangjel Tavo, i cili ka deklaruar se ky investim e kthen Gjirokastrën në një xhep. Pra, ata që vijnë nga Tirana e devijojnë për Sarandë nuk kalojnë më përmes Gjirokastrës e Dropullit.

Në të vërtet rruga Kardhiq-Delvinë është një arterie e rëndësishme që krijon mundësinë për Gjirokastrën dhe Sarandën të kenë një ofertë të përbashkët turistike, si dhe fut në xhiron ekonomike zonën përgjatë aksit ku kalon kjo rrugë. E thënë më thjeshtë, në Gjirokastër do të vijnë më shumë turistë prej Sarandës për shkak se distanca mes dy qyteteve është ngushtuar shumë. Potencialisht kjo do të krijojë më tepër fluks edhe në bizneset e Gjirokastrës.

Nga ana tjetër një fluks udhëtarësh që prej Kakavijës devijonte për Sarandë prej rrugës së vjetër, nuk është e pamundur të zgjedhë të vijojë rrugën drejt Gjirokastrës e më pas të marrë aksin Kardhiq-Delvinë. Por tek e fundit edhe nëse ka reduktim të volumit të punës në disa biznese përgjatë aksit Gjirokastër-Dropull, rruga Kardhiq-Delvinë ka vlerë të paçmueshme për ndërlidhjen e Shqipërisë së mesme me Sarandën. Përgjatë aksit ku kalon kjo rrugë do të çelne biznese të reja.

 

Edhe Vangjel Tavo që ka thënë se ky aks e kthen Gjirokastrën në një xhep, me siguri që e ka pasur për konsum politik deklaratën e bërë në gusht të vitit 2020, ose për ndonjë arsye tjetër që e di ai vetë. Rruga Kardhiq- Delvinë është e vonuar prej 15 vitesh së paku. Ky është dështimi i përbashkët i të gjitha qeverive. Tani që ky aks përfundoi duhet veçse të heshtim dhe të shohim impaktin e saj për jugun e Shqipërisë.