Vdekja e vajzës në Borsh, nëna akuzon prokurorin e Sarandës: Vrasja u mbulua si aksident

Një histori tragjike është bërë sot publike, ku janë hedhur akuza të forta se aksidenti që i mori jetën 17-vjeçares Ana në Borsh nuk ka qenë i tillë, por një vrasje. Alketa Duro denoncon në “Stop” manipulimin e aksidentit që i mori jetën vajzës së saj. Ngjarja ka ndodhur në 15 Mars 2019 në plazhin Borsh.

Dy të rinjtë që u përfshinë në aksident ishin me makinën e familjes së vajzës, pasi familjet ishin në dijeni të lidhjes së Anës me të riun Roberto Dhuli. Atë pasdite rreth orës 17:00 çifti i të rinjve ishin anës plazhit dhe në mënyrë të çuditshme makina del nga kontrolli dhe bie në një kanal kullues në anë të rrugës.

Automjeti kthehet përmbys dhe si pasojë humb jetën 17-vjeçarja, ndërsa djali shpëton. Nëna e të ndjerës ka dyshime për humbjen e së bijës.

“Na thanë që ka qenë vajza shofere dhe ajo e bëri aksidentin. Mirëpo shumë gjëra nuk më lidhen në këtë pjesë dhe e dyshoj. Rruga është një gjerësi shumë e madhe. Kishin mundësi të mos binin në kanal, të frenonin, të ktheheshin majtas nga rëra. Dyshimi tjetër është që djali më thanë që ishte i pa lagur. Shoku i vajzës sime, njerëzit e parë që kanë vajtur më thanë që ka qenë i pa lagur. Ra në ujë dhe ishte i pa lagur. Kur e kam pyetur si ka mundësi, më tha që një çun e mora në telefon dhe më solli rrobat. Ai telefonin e kishte vënë në shtëpinë time. U gjet rruga më e thjeshtë, që ajo e kishte fajin. Të ma vërtetojë drejtësia që është siç thotë ai apo është diçka ndryshe. Unë jam 1000% e bindur që vajza ime nuk ka qenë në timon. Si ka mundësi që ti bashkë me të nuk e ndihmove”, tha Duro.

Çështja e aksidentit në Borsh duhej të hetohej nga Prokuroria e Vlorës, por në mënyrë të çuditshme, këtë dosje e mori Saranda me prokurorin Lorenc Merkuri.
Ky i fundit pas 4 ditësh e mbylli hetimin e aksidentit, duke bërë fajtore viktimën. Hetimi u shkatërrua pa filluar, pasi trupit të të ndjerës nuk iu bë autopsi, për të kuptuar shkaqet e vdekjes.
“Mua nuk më pyeti njeri. Prokurori kur kam kërkuar zhvarrimin e vajzës, u ngrit dhe ulërinte, ç’janë këto që kërkoni. U zverdh, u bë lule kungulli. Nuk e kuptova reagimin e prokurorit. Isha prezente bashkë me avokatin”, tha Duro.

Apeli i Gjirokastrës i evidentoi të gjitha këto mangësi. Çështja e aksidentit në Borsh u trajtua si lojë ping-pongu, duke kaluar në Sarandë, Gjirokastër, Vlorë e Tiranë. “Stop” mësoi, se së fundi çështja ndodhet në Vlorë, në dorë të prokurores Flora Çela.
“Dua t’u them qytetarëve shqiptarë dhe zotërinjve të ONM në Tiranë, atyre të KLP, Prokurorit të Përgjithshëm, kryeprokurorit të SPAK që ta hetojnë këtë çështje se është mbuluar një krim. Është bërë një vrasje dhe është kamufluar sikur është aksident”, tha avokati Zaçe Islami.

DOSJA

Në dosje mungojnë fotot e momentit të aksidentit, kur makina ka qenë brenda në kanal përmbys. Avokati Zaçe Islami, i cili përfaqëson nënën e vajzës tregoi detaje nga pasaktësitë e hetimit. “Është bërë maratonë. Prokurori i çështjes është fajtor që nuk është evidentuar vendi i krimit, vendi i ngjarjes. Nuk na kanë dhënë fotografi të makinës në vendin e ngjarjes. Janë prishur provat me urdhër të prokurorit”, tha avokati.

I dashuri i vajzës Roberto Dhuli, në fillim ka treguar se ka dalë nga ana e pasagjerit. “Shpjegimet që dha shoku i vajzës në gjykatë me konkluzionet e ekspertit bien në kundërshtim me njëri-tjetrin. Personi i vetëm dëshmitar i kësaj ngjarjeje është shoku i vajzës dhe prokurori është bazuar vetëm në dëshmitë e tij”. Por ekspertët thonë, se djali ka dalë nga ana e shoferit sepse nga ajo anë xhami ishte hapur, ndërsa ana e pasagjerit ishte i mbyllur. Kjo vërtetohet edhe nga fotot e makinës pas aksidentit.

“Mjeku ligjor i Sarandës ka dhënë një vlerësim të përciptë. Një pijanec, një njeri me vese dhe po ka kundërshtime të ankohet për mua. Mjekoligjori thotë që është mbytur me ujë. Zotëri ju duhet të pyesni mjekë ekspertë kriminalistë që në rast të tillë bëhen disa ekzaminime mjekësore”, tha avokati. Detaje të tjera janë zhdukja e dëshmitarëve, që kanë qenë aty pas aksidentit. Dy policët e komisariatit Himarë nuk janë thirrur në gjyq për zbardhjen e ngjarjes. “Nuk dimë dy policët e parë që kanë ardhur në vendngjarje se në dokumente thuhet që kanë ardhur dy policë nga Komisariati i Himarës. Nuk ka asgjë. Të tëra janë mbuluar, të tërave u është vënë kapak. Kjo është fatkeqësia më e madhe në këtë vend, që nuk duan të zbulojnë krimin”, u shpreh avokati.

Nëna e vajzës së ndjerë ka pyetur në komisariatin e Policisë Himarë në lidhje me emrat e policëve. Por ata nuk figurojnë aty.
Mamaja e vajzës – ky Alban Gjiknuri është polic këtu tek juve?
Shefi i Komisariatit – Alban Gjiknuri?!…Jo, s’ka Alban Gjiknuri këtu.
Mamaja e vajzës – Po ky Lavdim Goxhaj?
Shefi i Komisariatit – Jo!
Mamaja e vajzës – Këtu thotë “ishte polic në komisariatin Himarë, Lavdim Goxhaj”…
Shefi i Komisariatit – Jo, s’është këtu…
Por edhe një tjetër dëshmitar është zhdukur fare nga dosja.

“Në sallë ka ardhur vetëm Robert Dhuli. Nuk ka bërë asnjë lloj hetimi të mirëfilltë. Kam kërkuar që të bëhet eksperimentimi i ngjarjes në vendin e ngjarjes. Të vinte personi dhe do na shpjegonte ai nga erdhi makina, cila qe arsyeja që ta në kanal”, tha avokati. “Ana do që të prehet e qetë. Vajta 4 vjet që luftoj dhe nuk po bëj dot asgjë, jam lodhur me këtë gjë. Jam nënë dhe kush është nënë më kupton shumë mirë. Vetëm drejtësi kërkoj. 17 vjeçe, engjëll, nuk di më shumë, nuk di ç’të them më shumë”, u shpreh e ëma e së ndjerës.