Prezantimi i kandidatëve për kryetarë të PS në Sarandë, Ahmetaj: Qeveria do të jetë gjithmonë krah qytetarëve

Drejtuesi Politik i qarkut Vlorë, njëherësh zv.kryeministër, Arben Ahmetaj në takimin e Asamblesë së Zgjeruar Socialiste të bashkisë Sarandë që zhvilloi dje, në kuadër të takimeve për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj vendor në 61 bashkitë e vendit tha se, qeveria do të jetë gjithmonë krah qytetarëve.

Në fjalën e tij Ahmetaj theksoi se, “sot që flasim 104 mijë biznese paguajnë zero taksë. Kjo sepse kryeministri vetë ka thënë se biznesin nuk e shohim si lopë për ta mjelë. Ne duhet të jemi krenarë që kemi bërë për vendin dhe qytetarët. Ky vend meriton më shumë, ndaj vëmendja tek reformat është e përditshme. Kjo mazhorancë ,kjo qeveri, ky kryeministër ishte një nga vendet që siguroi vaksinat. Politikat e qeverisë për të mbështetur qytetarët dhe sipërmarrjen shpëtuan 500 mijë vende pune”.

“Kjo qeveri ka bërë atë që nuk është bërë ndër vite. Në të gjithë botën është rritur çmimi i qeverisë, këtu nuk është rritur për qytetarët dhe biznesin e vogël”, tha Ahmetaj.

“Kjo është PS dhe çdo ditë e mandatit të tretë të jetë serioze. Zgjedhjet lokale duhet t’i kalojmë me sukses për ti dhënë komuniteteve figurat që meritojnë. Çdo përfaqësues i kësaj mazhorance që bezdiset nga një ankesë e një qytetari nuk është për këtë punë”, u shpreh Ahmetaj.

Në këtë takim 5 kandidatët e Sarandës prezantojnë sot platformat e tyre përpara Asamblesë së Zgjeruar të bashkisë Vlorë dhe Komisionit të Posaçëm të Vlerësimit.