Deputetja e Sarandës: Uji i Syrit të Kaltër po i transferohet Greqisë
Deputetja e PD, Ina Zhupa, ka bërë një denoncim në mediat sociale ku shprehet se uji i burimit të Syrit të Kaltër po transferohet në Greqi.
Ajo hedh akuza ndaj qeverisë Rama duke thënë e është jetë papërgjegjshmëria dhe çmenduria e radhës.
Për të faktuar akuzat e saj, Ina Zhupa ka publikuar edhe shkrimin në një media greke ku shkruhet se si po përgatitet një marrëveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë për të ndërhyrë tek Syri i Kaltër në Sarandë dhe për t’ia transferuar ujin Greqisë.
Reagimi i Ina Zhupës:
“Të transferojnë ujin e burimit nëntokësor të Syrit të Kaltër në Greqi, kjo mund të jetë papërgjegjshmëria dhe çmenduria e radhës e Qeverisë Rama!
Media greke ERT NEËS tregon se po përgatitet një marrëveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë për të ndërhyrë tek Syri i Kaltër në Sarandë dhe për t’ia transferuar ujin e kulluar të burimit nëntokësor Greqisë. Kryetari i Bashkisë së Korfuzit të Veriut, George Machimaris ka ngritur sërish çështjen e transferimit të ujit nga Shqipëria: “Me ndjenjën e përgjegjshmërisë ndaj shoqërisë sonë, ndaj vizitorëve tanë, ne i jemi nënshtruar një propozimi/memorandumi teknik për furnizimin me ujë me transferim burimi nga SYRI I KALTËR i Shqipërisë fqinje, duke marrë në konsideratë dhe shfrytëzuar përvojën e tubacionit nëndetësor që lidh ujësjellësin e Aeginës me EYDAP në Salaminë, përvojën e akumuluar të pushtetit vendor dhe studime ekzistuese si ai i Politeknikut (1991).”
Syri i Kaltër është park natyror dhe ka statusin zonë e mbrojtur nga viti 2002. Punimet, tubacionet, ndërhyrjet do ishin kategorisht të ndaluara dhe në dëm të kësaj pasurie kulturore.
Saranda, Delvina, qytetet e tjera vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm por ska shkuar kurrë ndërmend një ndërhyrje e tillë e paligjshme në Syrin e Kaltër.
Si mund të mendohej që kjo ndërhyrje e paligjshme të bëhej për të furnizuar Greqinë?!