Sarandë, turistët gjermanë mrekullohen nga manastiri i “Shën Kollit” në Mesopotam

Manastiri i “Shën Kollit” në Mesopotam”, Sarandë, është një nga monumentet me arkitekturë të veçantë dhe ndër destinacionet që nuk duhet humbur pa u vizituar.

I cilësuar si “margaritar i çmuar i trashëgimisë sonë kulturore dhe arkitekturës bizantine botërore”, ky manastir ka tërhequr turistët e parë në prag të sezonit turistik të këtij viti.

“Mbërrijnë “dallëndyshet” e para të turizmit në monumentet e trashëgimisë kulturore.
Rreth 50 turistë gjermanë vizituan këtë fundjavë “Manastirin e Shën Kollit” në Mesopotam, i cili mirëpret këdo në ambientet e tij të pastruara”, theksoi sektori i Kulturës Kombëtare në Sarandë.

Turistët gjermanë u njohën me historinë dhe vlerat arkitekturore të këtij manastiri.

Manastiri i Mesopotamit konsiderohet si një nga monumentet e rralla të jugut të Shqipërisë, ku mbivendosen kultura dhe historia, ku simbolet e gdhendura mureve, janë një arsye më shumë për të vizituar këtë manastir në rrethin e Sarandës, fare pranë qytetit antik të Finiqit.

Në manastir ndodhet kisha e Shën Nikollit, e cila ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Nga manastiri ruhen rrënojat e mureve rrethues që kapin një sipërfaqe rreth 100 m² dhe kontrollohen nga 9 kulla drejtkëndëshe. Muret rrethues janë më të hershëm sesa kisha.
Dhomat e manastirit janë të ndërtuara më vonë. Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera origjinale.