Sarandë-Finiq: Konferencë për turizmin e integruar në Livadhja

Bashkia e Sarandës dhe ajo e Finiqit organizojnë , më 6 maj në Livadhja  Konferencën për turizmin e integruar.

Sipas kreybashkiakut të Sarandës Adrian Gurma dhe homologut të tij në Finiq , Kristo Kiço, kjo konferencë është e bashkive të rajonit jugor shqiptar dhe atje do të prezantohet dhe zhvillohet qasja dhe nisma e të dy bashkive  për të bërë qysh këtë verë, turizëm së bashku, si një destinacion i vetëm turistik pavarësisht  kufijve territorialë dhe sezonalë.

Evenit do të organizohet në qendrën kulturore “Katina Papa” të Livadhjasë (Finiq) dhe nis me prezantimin nga Adrian Gurma  të nismës “Turizëm pa kufij” për të vazhduar me prezantimin e rrugëtimit të derisotëm të kësaj nisme (Turizëm pa kufij) përcjellë përmes një videoje prezantuese.

Veprimtaria promovuese e të dy bashkive do të ketë pjesë të saj përshendetjen nga Mirela Kumbaro, Ministre e  Turizmit dhe Mjedisit si dhe nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëunimit nga Bashkitë Delvinë, Himarë dhe Konispol të cilat pasojnë nënshkrimin e këtij dokumenti nga bashkitë nismëtare Sarandë dhe Finiq, pak kohë më parë.

Konferenca e Livadhjasë do të përshëndetet edhe nga diplomatë, nga kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi dhe nga përfaqësues të kompanive turistike dhe udheheqës të guidave në terren.

Pjesë e këtij zhvillimi do të jenë edhe vizitat në stendat e ekspozitës që propozon guidën e vitit 2022 në pika të interesit turistik që gjënden në territorin e Bashkisë Sarandë dhe Finiq si dhe në tre Bashkitë që i bashkohen rishtaz kësaj nisme për turizëm pa kufij territorialë.

Veprimtaria do të mbyllet me një program artistik nga artistë të të dy Bashkive; me mbjellje të pemëve simbol të turizmit të integruar, më takime sportive mes ekipeve përfaqësuese në volejboll  e basketboll dhe me një guidë në Manastirin e Shën Nikollës në Mesopotam.