Kumbaro sqaron Fondacionin e Butrintit: E kundërshtojnë ata që privatizonin pronat brenda qytetit antik
Gjatë diskutimit të projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u shpreh se kjo formë e bashkëpunimit është tërësisht publike dhe në asnjë rresht të ligjit për trashëgiminë kulturore nuk përmendet fjala “koncesion”.
“Në këto 9 vjet, janë bërë shumë punë në Kulturë, kemi hartuar e miratuar një ligj në vitin 2018 që na bën krenarë, që për më tepër, opozita në Komisionin pergjegjës në votimin në parim ku bënte pjesë edhe koncepti i “administrimi indirekt” ose ndryshe permes “fondacioneve kulturore” që prodhon një marrëveshje si kjo që propozohet sot, e votoi 100%. Puna për ligjin nuk ishte fjalë goje! 4 vjet punë nga Ministria e Kulturës, punë shumë e rëndësishme, në bashkëpunim me UNESCO-n dhe ekspertë të Komisionit Europian; aq e rëndësishme saqë AADF, ishte ndër të parët që e kuptoi dhe na u bashkua rrugës për ta ndërtuar së bashku atë kantier ligjor, duke u bërë kështu një partner i rëndësishëm strategjik në vizionin tonë”, tha Kumbaro.
Referuar Butrintit, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit bëri edhe një përshkrim se si u gjet ky park në vitin 2013, në atë kohë i menaxhuar nga kundërshtuesit e sotëm të marrëveshjes.
“Si e gjetëm në vitin 2013? Pa plan menaxhimi, me vegjetacion të pakontrolluar, me shumë nevoja për restaurime dhe mirëmbajtje muresh, me biletari elektronike të instaluar falë Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, por që adminstrata asokohe nuk dinte ose nuk donte ta vinte në punë, me shërbime mjerane, ose pa shërbime fare. Nevoja për ndërhyrje emergjente ishte e domosdoshme, duke filluar nga pikat sanitare, deri te shtigjet, te mirëmbajta e mureve të kalave e të kullave, te konservimi i mureve rrethues, te zgjerimi i biletarisë ekzistuese, te kontrolli i të ardhurave, te ndërhyrjet infrastrukturore të domosdoshme për sitin të disiplinimit të ujrave, të parametrave të sigurisë, por edhe të kujdesit ndaj vizitorëve, përfshi edhe kushte dinjitoze të shërbimit, pa cënuar trashëgiminë, pa cënuar arkeologjinë, në përputhje me të gjitha rregullat e ligjet e shtetit shqiptar dhe me rekomandimet e UNESCO-s. Dhe që të jem e qartë e kam fjalën për Qendrën e vogël multifunksionale që, ndonëse në 2008 u kthye për pak kohë në kafene nga Instituti i Monumenteve që drejtohej asokohe nga ulëritësit e sotëm, na e lanë barrakë plehrash. Ndërsa në hyrje të Parkut shitej akullore me kazanë dhe byrekë me tepsi! Pa folur për gotën e ujit që shitej 3000 lekë në 40 grade si të ishte shampanjë”, tha gjatë fjalës së saj Kumbaro.
Ajo shtoi se kundërshtuesit e sotëm të këtij projektligji, janë të njëjtët që në vitet 2008-2009 dhanë vendime privatizimi me Komisionin e Kthimit e Kompensimit të Pronave brenda qytetit antik.
“Vetëm baltë hedhin ata që Butrintin e shohin si mollë sherri, ose ata që s’e shohin fare se as nuk e dinë ku bie Butrinti, ose nga ata qe ne vitet 2008-2009 dhane vendime privatizimi me Komisionin e Kthimit e Kompensimit te Pronave mu ne mes te qytetit antik!”, tha Mirela Kumbaro.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit përmendi shumë projekte të kryera përgjatë këtyre viteve, një pjesë e mirë e të cilave në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, që po ashtu janë sulmuar nga opozita.
“Sherr e shamata kur nisëm Pazarin e Korçes, kur restauruam e begatuam Pazarin e Gjirokastres, kur bëmë stadiumin e ri, kur bëmë Muzeun Marubi, Muzeun e Gjethit, Muzeun e Artit Mesjetar, rijetesimin e Kalase se Tiranes, kur restauruam Parkun arkeologjik të Apollonisë, kur nisem Teatrin e Operas, pa folur për kishat e xhamitë e restauruara, apo për qindra objekte të trashëgimisë kulturore që i shpëtuam nga shkatërrimi”, tha Kumbaro.
Në lidhje me këtë të fundit, si ish-Ministre e Kulturës, Mirela Kumbaro përmendi në sallën e Kuvendit edhe humbjet e objekteve të kultit përgjatë viteve.
“Ky është “Katalogu i objekteve të humbura, për periudhën 1991-2016”. 2249 objekte deklarohen të humbura nga fondet dhe koleksionet publike të muzeve dhe institucioneve kombëtare apo vendore të Republikës së Shqipërisë. Humbjet e fundit të shënuara janë të vitit 2012. Madje, s’do ta besoni po as koleksioni i Muzeut Historik Kombëtar këtu në zemër të Tiranës, nuk ka qenë i regjistruar! Detyra e parë për cdo shtet është të dokumentojë pasuritë e veta. Dhe sidomos pasuritë kulturore, gjendjen e tyre, të ndërtojë strategji dhe prioritete por edhe rregulla të qarta në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore. E pra në vitin 2014 trashëguam një situatë pa situatë! Gjate dy viteve 2014-2015, i ramë kryq e tërthor vendit për të prekur e parë c’gjetëm në listën ekzistuese të monumenteve të kulturës”, u shpreh Kumbaro.
Në fjalën e saj, Mirela Kumbaro iu referua edhe gjetjeve të arkeologut Richard Hodges, i cili është anëtar i Bordit të Fondacionit për menaxhimin e Parkut të Butrintit. Kërkimet shkencore të ndërmarra në Butrint nën drejtimin e Richard Hodges, në të cilat janë përfshirë ekspertët më të mirë të arkeologjisë Shqiptare dhe mbarë-botërore, janë botuar në revistat shkencore ndërkombëtare më prestigjoze dhe në një seri monografish prej 9 vellimish duke e bërë Butrintin një nga qendrat arkeologjike më të studiuara dhe më të promovuara të Mesdheut.