Himarë, transportonte emigrantë të paligjshëm, në pranga 27-vjeçari

Policia e Himarës ka vënë në pranga një 27-vjeçar, i cili po transportonte 33 emigrantë të paligjshëm, si edhe posedonte kokainë.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, Komisariati i Policisë Himarë, në bashkëpunim me  specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë nr.5, Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Double 3”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi: K. M., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në dalje të bajpasit Himarë, shërbimet e Policisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, i kanë bërë shenjë për të ndaluar shtetasit K. M., i cili drejtonte automjetin tip furgon. 27-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi.

Menjëherë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit që drejtohej nga 27-vjeçari dhe kanë evidentuar disa metra më tutje, automjetin tip furgon, të braktisur.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 33 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët ky shtetas po i transportonte kundrejt fitimit.

Në vijim të operacionit, pas shkëmbimit të informacionit me DVP në qarqe dhe falë një pune të mirë-koordinuar policore, pas disa orësh nga braktisja e automjetit, në Laprakë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.5, Tiranë, është bërë e mundur kapja e shtetasit K. M.

Gjithashtu gjatë kontrollit fizik të tij iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi e dyshuar lënde narkotike e llojit kokainë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.