Granoff: Butrinti kontrollohet nga Qeveria shqiptare, nuk do të ndërtohet asnjë hotel

“Në Butrint nuk do të ndërtohet asnjë objekt tregtar apo ndonjë gjë e ngjashme”.

Kështu ka deklaruar kreu i Bordit të Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Sipas tij, paratë që hyjnë në Butrint do të qëndrojnë aty – duke hedhur poshtë zërat kritikë.

Për të, Butrinti është në pronësi dhe kontrollohet nga qeveria dhe populli i Shqipërisë, por Fondacioni do të kontribuojë duke dhuruar 5 milionë dollarë për mbrojtjen e këtij parku.

Në këtë formë, asgjë nga këto që po bën Fondacioni nuk e ndryshon pronësinë dhe kontrollin e Butrintit si dhe objektet e trashëgimisë kulturore.

Granoff, thotë se njerëzit shpesh flasin për Butrintin si një koncension, por këto të fundit janë një mundësi për të marrë para, pra për të fituar para.

“Ndërsa ligji për Butrintin është një mundësi nga ne për të dhuruar para. Si rezultat i këtij ligji, ne do të dhurojmë 5 milionë dollarë të tjera. Nuk di shumë njerëz të tjerë, që po përpiqen ta bëjnë këtë. Arsyeja pse na duhej kjo lloj strukture për ta bërë këtë gjë është që ta mbrojmë Butrintin dhe ta mbajmë të pandryshuar”, tha ai.

Si shembull kreu i AADF-së sjell instalimin e një makinerie elektronike biletash në Butrint, ku për nje vit të ardhurat e fituara nga Butrinti u trefishuan.

“Arsyeja pse ne vendosëm këtë makineri elektronike të biletave ishte që siguroheshim që paratë që vinin në Butrint të përdoreshin për të mirën e tij dhe të qëndronin në Butrint, për të përfituar njerëzit e Shqipërisë dhe projekti”.

Sipas tij , ligji është shumë transparent, pasi ka pasur shumë mbledhje komisionesh parlamentare dhe marrëveshjet janë shumë transparente.

“Ne duam të bëjmë një strukturë shumë të qartë për të krijuar një mjedis ku mund të investojmë dhe dhurojmë sa më shumë para për Butrintin. Duhet t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë se këto donacione nuk janë vetëm sipërmarrje tregtare. Paratë do të shkojnë për të ndërtuar një qendër vizitorësh, për të ndërtuar korsi biçikletash dhe rrugë për hiking, për ta bërë këtë zonë pa ndotje mjedisore”, argumentoi kreu i AADF-së.

Ndonëse opozita u shpreh kundër këtij ligji, Granoff theksoi se “Qeveria Berisha i kuptoi shumë mirë shqetësimet tona”.

“Pra këto që po diskutojmë sot nuk janë arritur kohët e fundit, por ka qenë një përpjekje e vazhdueshme nga fondacioni për të luajtur një rol të përgjegjshëm për të mbrojtur një pjesë kaq të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë”.