Gjirokastër, një grua kërcënon me thikë në zyrë drejtoreshat e dy institucioneve publike

Drejtoreshat e dy institucioneve publike në Gjirokastër janë kërcënuar kohët e fundit nga një grua me probleme të shëndetit mendor. Argjirolajm.net mëson se një ditë më parë 58-vjeçarja me inicialet DH.L hyri në zyrën e drejtoreshës së Sigurimeve Shoqërore, Irida Hoxha, për të kërkuar mosndërprerejen e pensionit të nënës së saj pavarësisht se ajo kishte ndërruar jetë.

Drejtoresha duke i treguar se diçka e tillë ndalohej nga ligji, ka hasur në kundërshtinë e gruas, e cila ka nxjerr thikën për një moment në përpjekje për ta kanosur. Fillimisht ka ndërhyrë roja i sigurisë së institucionit për të penguar që të godiste drejtoreshën, si dhe i ka larguar thikën. Më pas kanë mbërritur oficerë të Policisë së Shtetit për të bërë ndalimin e saj. E njëjta ngjarje ka ndodhur edhe pak javë më parë me drejtoreshën e Shërbimit Social në Bashkinë Gjirokastër, Albana Allushaj, e cila është kanosur në zyrë nga kjo grua.

Pretendimi i saj edhe në këtë rast ka qenë pak a shumë i njëjtë për çështjen e një pagese të përkrahjes sociale që ajo thotë se nuk i është kryer. Por në të vërtetë pretendimi i saj është i gabuar. Në të dyja rastet ka ndërhyrë Policia e Shtetit për të neutralizuar situatën. Allushaj dhe Hoxha kanë bërë kallëzim në polici për ngjajren. E pavarësisht kësaj përveç ndalimit për disa orë në komisariat deri më tani nuk është marrë ndonjë masë më e rëndë ndaj saj pikërisht për shkak të gjendjes jo të mirë të shëndetit mendor.

Sidoqoftë të dyja rastet duhet të shërbejnë si një këmbanë alarmi për autoritetet që të mbajnë nën monitorim të vazhdueshëm gruan. Më poshtë foto e thikës me të cilën është kërcënuar një ditë më parë në zyrën e saj drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore në Gjirokastër, Irida Hoxha.